32 familje, të cilat pushtuan kabinat e plazhit 27 vite më parë, janë grumbulluar sot para bashkisë së Durrësit në një protestë ku kërkuan privatizimin e tyre.
Banorët kërkojnë që institucionet përkatëse të nisin procedurat e privatizimit të ish-kabinave që prej më shumë se çerek shekulli janë transformuar në banesat e tyre. 32 objektet të cilat ndodhen sektorin “Hekurudha” janë të fundit të paprivatizuara. Ata thonë se duke nisur që nga viti 2009 e deri në vitin 2013 janë privatizuar thuajse të gjitha ish-kabinat duke lënë jashtë këtij procesi ish-kabinat ku këto 32 familje janë strehuar.
Banorët protestues sqarojnë se kanë shlyer të gjitha detyrimet në shtet sikurse janë qiraja, faturat e energjisë elektrike dhe ato të ujit, pagesa e të cilave është një ndër kriteret e privatizimit të objekteve.
Banorët hamendësojnë për ndonjë skenar të mundshëm që synon ndërtimin e ndonjë pallati në truallin ku gjenden këto ish-kabina.
K.H.





