Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë kanë dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku pas mitingut të PD-së para godinës së Kryeministrisë për nisjes e fushatës elektorale, dhjetëra persona janë paraqitur në QSUT me skuqje dhe djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje. Mes tyre ka qenë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se Basha është paraqitur rreth orës 05:00 të mëngjesit me simptoma të ngjashme. Në QSUT aktualisht janë pjesa më e madhe e rasteve, 76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve.

NJOFTIMI I MSH-së:

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (28 maj 2017) janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pacientë me shenja të helmimit (intoksikacion) si: skuqje të syve, djegie të syve, irritim të shprehur të lëkurës në zonat e ekspozuara të fytyrës dhe qafës, si dhe në raste të veçanta edhe vështirësi të lehtë në frymëmarrje.

Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z.Lulzim Basha me simptoma të ngjashme.

Ministria e Shëndetësisë po punon për evidentimin e rasteve edhe në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pjesa më e madhe e rasteve. 76 pacientë nga të cilët 9 janë shtruar në shërbimin e okulistikës dhe janë nën vëzhgimin e specialistëve.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.