Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në portin e Durrësit arkivoli me trupin e deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë, në Itali.

Deputeti i qarkut të Lezhës vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën fatkeqësisht e humbi.

Në portin e Durrësit kishin dalë për të pritur arkivolin familjarët dhe të afërmit e Kadelit, të njohur, bashkëpunëtorë dhe kolegë të tij si dhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri Lefter Koka.

Në fjalën e tij, Meta shprehu vlerësimin e tij për deputetin Kadeli, si një njeri i jashtëzakonshëm, me vlera të rralla njerëzore dhe morale dhe dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta.

Gjovalin Kadeli ndërroi jetë ditën e premte, në moshën 53-vjeçare. Ai la pas 4 fëmijë, ndërkohë që e shoqja ishte ndarë nga jeta dy vite më parë, pas një sëmundjeje të rëndë.

Arkivoli me trupin e deputetit të ndjerë është nisur drejt qytetit të Lezhës, ku pritet të mbahet ceremonia mortore.

Kadeli u zgjodh deputet në legjislaturën 2009-2013 dhe 2013-2017. Në legjislaturën e fundit u zgjodh deputet i PD-së, por më pas u largua nga grupi parlamentar i PD-së, për t’iu bashkangjitur LSI-së.