21 efektivët e forcës detare shqiptare, të cilët qëndruan me mision prej dy muajsh në detin Egje janë kthyer në atdhe.
Mirëseardhja e tyre është bërë në Komandën e Forcës Detare, Durrës, në një ceremon ku mori pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, gjeneralë dhe drejtorë të komandave ushtarake të Forcave të Armatosura dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe familjarë të efektivëve që u kthyen nga operacioni.
Ceremonia u hap nga komandanti i Forcës Detare gjeneralmajor Ylber Dogjani, i cili në emër të Forcës falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin që efektivët e kontigjentit të tretë treguan gjatë kohës së qëndrimit në zonën e operacionit dhe përmbushjen me sukses të misionit.
Ndër të tjera ai u shpreh: “Kontigjenti Juaj e meriton plotësisht vlerësimin e bërë nga Komandanti i Grupit të Dytë Detar të NATO-s, kundëradmirali Deerts, i cili thekson se anija Oriku dhe ekuipazhet e saj të admirueshme janë ambasadorë të shkëlqyer të Shqipërisë, të Forcës Detare dhe të NATO-s”.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, në fjalën e tij theksoi se kontigjenti i tretë ka qënë më i suksesshmi.
Roli i efektivëve dhe anijes shqiptare në këtë operacion është raportimi i trafikut të migrantëve në zonën operacionale dhe ndërhyrja duke ofruar ndihmë në rastet kur konstatohet se jetët njerëzore janë në rrezik. Informacioni i siguruar gjatë patrullimit së bashku me anijet greke, holandeze, turke dhe britanike është shkëmbyer në kohë reale me rojet bregdetare greke dhe turke, si dhe misionin e Bashkimit Europian “Frontex” në detin Egje, në interes të parandalimit të fluksit të refugjatëve dhe migrantëve.
K.H.





