Një ditë pas takimit me zyrtarin e DASH, Hoyt Yee, kreu i opozitës Lulzim Basha ka mbledhur sot aleatët në selinë blu.

Basha pritet të japë sot një përgjigje zyrtare për paketën e Brukselit ose e njohur ndryshe si “paketa McAllister”.

Ndërsa prej orës 11:20, Ambasadori amerikan Donald Lu po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri.

Zëvendës/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee gjendet edhe sot në Tiranë për të pritur këtë përgjigje pas takimeve intensive të një dite më parë që rikthyen shpresat për një marrëveshje.

Një ditë më parë në takimin me gazetarët, Hoyt Brian Yee tha se paketa që u prezantua nga McAllister është një paketë e drejtë që mund të çojë drejt zgjidhjes.

Pavarësisht pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në zgjedhje, Yee u shpreh se nëse ato certifikohen si të rregullta nga OSBE, Shtetet e Bashkuara do t’i njohin. Diplomati amerikan theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nga demokratët dëmton Partinë Demokratike dhe imazhin e vendit.