Një grup i cili merrej me shpërndarjen e kokainës mes Ankonas dhe Senigallias është goditur nga policia, ndërsa mes pjesëtarëve të bandës ishte dhe një shqiptar. Lënda narkotike e llojit kokainë shitej kryesisht në klubet e natës në këtë zonë.

Operacioni “Take Away” u zhvillua gjatë ditës së sotme, duke kryer kështu nëntë kontrolle nëpër shtëpi për gjetjen e kokainës.

Mësohet se hetimet kishin nisur një vit më parë, ndërsa shqiptarët ishin ata që furnizonin me kokainë bregdetin.

Koka më e rëndësishme e këtij grupi ishte një kuzhinier italian, i cili ka punuar në disa klube të Rivierës, ndërsa krahu i djathtë i tij ishte një shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në sajë të posedimit të drogës dhe parave, shqiptari është renditur si tregtari kryesor i drogës dhe krahu operativ i grupit.

Policia ka bërë të mundur gjetjen e një gram kokaine të fshehur në dhomën e njërit prej të dyshuarve. Në një prej ambienteve të klubit është gjetur gjysmë kg hashash, ndërsa pronari i lokalit ka denoncuar babanë e tij për posedimin e drogës.

Banda me shqiptarë dhe italianë konsiderohet si furnizuesit kryesorë të kokainës në klubet për të rinjtë.