Një person nga Durrësi është arrestuar, ndërsa ndaj 3 të tjerëve ka nisur hetimi në gjendje të lirë për një plagosje të ndodhur ditën e djeshme në ambientet e një restoranti në fshatin Vishnjë të Tiranës.

Në këtë ngjarje janë përfshirë 4 persona, njëri prej të cilëve është edhe i plagosuri nga Durrësi, ndaj të cilit është marrë masa e arrestit.

Ditën e sotme u arrestua në flagrancë shtetasi F.Ll. 29 vjeç, dhe u ndaluan dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasit A.Ç., G.Z. e K.Ll., 37, 48 e 36 vjeç, banues në Tiranë, fshati Vishnjë dhe Tiranë, bën me dije policia.

Shtetasi G.Z., është pronar i restorantit, në tualetin e të cilit është vetëplagosur në kokë me pistoletë, shtetasi F.Ll.  Ndërsa 37-vjeçari A.Ç. akuzohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës duke pastruar mjetin tip “Benz”, që është përdorur gjatë dërgimit të plagosurit në spital. “Benz”-i rezulton në pronësi të shtetasit K.Ll., ndaj të cilit kanë nisur po ashtu hetimet.

Aktualisht, raportohet se i plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë.

Në cilësinë e provës materiale u gjet e sekuestrua pistoleta “Ekol”, 1 krehër, 2 fishekë e 1 gëzhojë.