Një shtetas grek që po udhëtonte drejt vendit fqinj është arrestuar paraditen e kësaj të hëne në aeroportin e Rinasit.

Iraklis Dragounis, 52 vjeç, u arrestua pasi kishte me vete një pajisje që dyshohet se përdoret për përgjim.

Shtetasi grek është shoqëruar në Policinë e Tiranës ndërsa pajisja është sekuestruar nga prokurorët.

Pas marrjes në pyetje, shtetasi grek është lënë i lirë dhe do të ndiqet i lirë deri në përfundim të hetimeve, ndërsa i është sekuestruar pasaporta.
 
Greku është inxhinier në profesion dhe mendohet që kjo të jetë hera e disatë që vjen në vendin tonë.
 
Megjithatë kjo është hera e parë që atij i sekuestrohet një pajisje e tillë që ngjall dyshime.

52-vjeçari ka mohuar se është pajisje përgjimi, por nuk ka treguar llojin e saj.

Fakti që pajisja nuk është diktuar kur Joannis Dragounis ka hyrë nga Greqia në Shqipëri lidhet me mundësinë se ai mund të ketë ardhur përmes pikave doganore tokësore që kanë kontrolle më të pakta.

Njoftimi i Policisë
Më datë 07.05.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin Iraklis Joannis Dragounis, i datëlindjes 21.04.1965, banues në Greqi, me arsim të lartë, me detyrë inxhinier ndërtimi, sepse në P K K Rinas, iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pajisje e dyshuar për përgjim. Nenet 289/ç e 178 të K.P.