Policia e Shkodrës ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë të boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa, ngjarje e ndodhur gjatë ditës së djeshme në qytetin e Shkodrës.

Autori është një 21-vjeçar për të cilin policia jep vetëm inicialet, V.K me banim në Shkodër. I riu është shpallur në kërkim nga forcat blu.

Gjithçka ndodhi rreth orës 14:30 tek "Ura Dervishbeg", ku u tentua të vritej me armë zjarri Nelson Hysa 33 vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 mm.  Mbeten ende të paqarta motivet e kësaj ngjarje, ndërsa hetimet po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës dhe policinë.