Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka folur në ditën e 74-t të protestës nga çadra e lirisë ku të pranishëm ishin qytetarë nga Elbasani. Pjesë e bashkëbisedimit të kryeopozitarit ishin dhe akuzat lidhur me zgjedhjen e Ilir Metës si President. Sipas tij, kryeministri Edi Rama pagoi 35 milionë dollarë për ta bërë Metën President.

“Rama dhe Meta pinë verë javë për javë, e cila bën sa 5 fatura uji në muaj, aq sa pinë këta mund të ndërtohet një ujësjellës nga fillimi.

35 milionë dollarë pagoi Rama për rrëshqitjen e Rrugës së Elbasanit, që i mbylli gojën Ilir Metës që zotohej se nuk do kishte zgjedhje pa opozitën.

35 milionë dollarë të shqiptarëve për ta ulur në karrigen e Presidentit dhe për t’i mbyllur gojën, ky është pazari dhe komploti ku derrat e pushtetit pinë verën më të shtrenjtë duke bërë pazare në kurriz të demokracisë.

Derrat e pushtetit pinë verën më të shtrenjtë se ne, duke i lënë qytetarët e Vushtricës pa ujë. Kjo është Republika e vjetër e korrupsionit e hajdutëve”.