Një efektiv policie në Delvinë, është arrestuar nga SHÇBA, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet një sasi lënde narkotike si dhe armë pa leje.

Rreth orës 18:00 të së hënës, SHÇBA vuri në pranga punonjësin e policisë, inspektor Bujar Mehmeti, 42 vjeç, nga Delvina.

Arrestimi u krye për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga kontrolli i ushtruar në banesë dhe ambienteve përreth saj, u gjetën 1 qese me kanabis me peshë 118 gramë dhe 1 armë zjarri model 56 kalibri 7.62 mm, njofton policia.

Kontrolli u krye mbi bazën e informacioneve dhe materialeve te referuara nga ana e SHÇBA-së Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit.