Eduard Selami i shtohet zërave që kritikojnë kryedemokratin Basha në lidhje me vendimin për të mos hyrë në zgjedhje.

Deputeti demokrat Selami ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke e cilësuar si mjaft të dëmshëm vendimin e Bashës për të mos çuar në zgjedhje Partinë Demokratike.

Ish lideri i PD-së kritikon gjithashtu retorikën e Bashës, duke thënë se është populiste. Kjo gjuhë, sipas Selamit, u përdor nga lideri i opozitës për anashkalimin e institucioneve në një moment shumë të rëndësishëm, siç është kalimi i reformës në drejtësi nëpërmjet vettingut.

“Kam vënë re që z.Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore, por, fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është Reforma në Drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje, e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”, – është shprehur Selami.