Kreu i PD-së, Lulzim Basha, nga çadra e protestës denoncoi se mbrëmjen e djeshme, një kryetari partie të opozitës i janë ofruar 500 mijë euro për të hyrë në zgjidhje.

“Ju duhet ta dini se republika e vjetër, dje gjatë gjithë ditës dhe në orët e vona të natës iu ofroi shumë të majme partive politike opozitare me qëllim regjistrimin e tyre në thyerje të vendimit të koalicionit opozitar.

500 mijë euro iu ofruan vetëm një kryetari partie për t’u shkëputur nga opozita dhe nga ky vendim popullor, dhe për t’iu bashkuar pazarit të ndyrë. Qindra mijëra euro iu ofruan kandidatëve të tjerë. Ata thanë jo, askush nuk e mori lugën e çorbës së prishur të Ramës e Metës me shokë. Arsyeja kryesore që ata dhanë para sekserve të ndeyrë: Këto para nuk janë tuajat, por të shqiptarëve të papunë”, deklaroi sot Basha.

Me nota kërcënuese, lideri i opozitës tha se nëse republika e vjetër nuk tërhiqet më 19 qershor, asnjë shqiptar nuk duhet t’i bindet ligjit dhe asnjë nuk duhet të paguajë taksa.

“Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjësuar pluralizimin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, nëse kjo nuk ndodh më 18 qershor në mesnatë, Kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër, për republikën e re do të jenë të pavlefshme, nul. Më 19 qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar që e ndjen veten pjesë të republikës së re nuk duhet të paguajë asnjë taksë të republikës së vjetër dhe nuk do t’i bindet asnjë ligji të republikës së vjetër”.