Vetëm pak ditë pasi u mësua se Ana Kallaku, moderatore në “Scan Tv”, është motra e Bes Kallakut, të gjithë u bënë kureshtarë për të mësuar më shumë rreth saj dhe sidomos edhe marrëdhënies me Xhensilën, e cila këtë vit do të lidhë kurorë me vëllanë e saj.
E ftuar në “Oktapod”, Ana ka folur edhe për kunatën e saj, edhe pse kjo fjalë nuk i pëlqen fare: “Unë dhe Xhensila jemi pothuajse moshatare, me një diferencë shumë të vogël…”, thotë ajo duke kujtuar se Xheni ka hyrë shumë herët në familjen e tyre, ndaj edhe Anës i duket sikur është rritur me të: “Xheni është bërë pjesë e familjes sonë pothuajse prej 7 vjetësh. Fakti që kemi dhe të njëjtën moshë me njëra-tjetrën, na i ka bërë gjërat shumë më të lehta, flisnim shumë, komunikonim shumë…”
Si moshatare, Ana dhe Xhensila kanë ndarë edhe shumë kohë bashkë, pa e specifikuar veten si kunata, ato kanë qenë më shumë si dy shoqe: “Jemi më shumë si shoqe, madje edhe përpara se unë të zhvendosesha në shtëpinë time, me familjen time, kemi jetuar bashkë dhe unë pothuajse jam rritur me Xhenin”.
E ngacmuar nga Turi për momentin kur Xhensila hyri në jetën e Besit, Ana thotë se e mban mend shumë mirë kohën kur i vëllai kishte nisur t’i fliste për të: “E mbaj mend shumë mirë kur ai më tregonte se po njihej me Xhenin… ‘Të kujtohet ajo vazja që ka qenë të Ethet, Xhensila e Etheve…”, i pati thënë Besi një ditë dhe Ana, natyrisht që e kujtonte: “Kush nuk e njihte Xhensilën”, shton ajo. I vëllai vijoi t’i tregonte për këngëtaren me shumë emocion dhe që në fillim, e motra e kishte kuptuar se ata të dy ishin bërë për njëri-tjetrin: “Vëllai po fliste me shumë emocione, me shumë ndjenja. Që në fillim më është krijuar ideja se ishin bërë për njëri-tjetrin, ndaj dhe në sytë e mi janë ҫifti ideal…”, vijon rrëfimin Ana.
Megjithatë, Turi nuk e lë gjithҫka të jetë kaq e ëmbël. “A gatuan Xhensila?”, është pyetja e tij e radhës, si dhe e shumë shqiptarëve të tjerë tradicionalë: “Po pse pyet ‘a gatuan nusja?’, pyetja tipike e jona”, “revoltohet” për një moment Ana, por pastaj kthen një përgjigje po aq të ëmbël për Xhenin sa të gjithë përshkrimin që i bëri më sipër: “Xhensila është shumë e dashur, shumë gojëëmbël, shumë e respektuar, ka bërë të lumtur vëllain tonë, na ka bërë të lumtur të gjithëve. Xhensila edhe gatuan, edhe bën punë shtëpie, edhe punon, edhe është shumë e famshme, si të mos e duash?”
Ah, kur do të jetë dasma? Këtë, Ana nuk është e autorizuar ta thotë: “Do të jetë së shpejti…”, pa rënë pre e provokimeve të Turit.
Në qershor?
Jo!
Në korrik do jetë?
Jo, nuk do të jetë as në korrik… Nuk më takon mua ta them.
/Revista Class/