Kryeministri Edi Rama, i ka dhënë sot lejen e legalizimit, dy kompanive prestigjioze italiane, të cilat e kishin vendosur biznesin në të njëjtën godinë, por që një pjesë e godinës rezultonte të ishte ndërtim pa leje.

Bëhet fjalë për firmat “EME” dhe “Italfashion”, dy kompani italiane që prodhojnë për tregun e huaj, madje edhe për marka të mëdha fashion në Europë.

“Unë e kisha dëgjuar edhe nga Artani, edhe nga Sadriu që është kjo fabkrika këtu dhe është goxha e veçantë, se bën për “Benetton”, për “Max Mara”. Thashë me vete: o Zot si erdhi puna, “Benetton” prodhon në Shqipëri në ndërtim pa leje. Edhe me leje, edhe pa leje nuk ka. Nga ky moment je në rregull deri atje, vetëm mos shko më andej. Nga ky moment që ti e regjistron e gjithë kapitali që ti ke harxhuar këtu të kthehet në kapital i gjallë. Kështu, ti mund të vësh koletaral, mund të vazhdosh të bësh investime, por të tjerat mund t’i bësh me leje të gjitha”, tha Rama gjatë dhënies së lejeve të legalizimit.

Pronari i ndërtesës shpjegoi se shtesën pa leje e ngriti nga dëshira e investitorëve për të zgjeruar biznesin. “Ky është konstruksion që e kam filluar në 2004-n. 70% ka qenë me leje ndërtimi dhe me hipotekë. Më kërkuan firmat italiane që unë të bëjë një shtesë, për të shtuar punëtorët.”

Vetëm Italfashion nga ka 185 punonjës që ka aktualisht, synon që brenda një viti të arrijë në 300. “Ne prodhojmë për Benetton, për grupin Max Mara, i cili është ndërkombëtar dhe mendojmë që do të rritemi shumë këtu, në Shqipëri. Jemi këtu që prej një 1 viti e gjysmë e përbëhemi nga 185 veta, por brenda një viti, qëllimi ynë është të bëhemi 280-300 veta. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu.”