Pjesëmarrja e nxënësve në mitingje është një fenomen që ndeshet jo pak herë në Shqipëri. Një mësuese në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, u ka bërë thirrje nxënësve gjatë orës së pushimit, që të marrin pjesë në takimin elektoral të kryeministrit Rama në Kavajë.

Video është publikuar nga ish- kryeministri Berisha i cili ka postuar në Facebook edhe mesazhin e një gjimnazisti.

Me t’u vënë në dijeni për propagandën politike të zhvilluar në këtë shkollë, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar largimin e mësueses, duke thënë se të tilla situata nuk do të tolerohen në shkolla.

“Në media është publikuar një video ku një mësuese në klasë u thotë nxënësve se duhet të shkojnë në takimin që ne kemi në Kavajë. Në bazë të urdhrit të nxjerrë, ministrja e ka shkarkuar dhe larguar nga sistemi arsimor atë mësuese”,-u shpreh Rama.

Më vonë ka reaguar edhe ministrja e arsimit Lindita Nikolla përmes një njoftimi për media ku ka njoftuar largimin nga sistemi të mësueses si pasojë e moszbatimit të urdhrit të saj për mospërfshirje të mësuesve dhe nxënësve në fushatën elektorale.

Urdhri i ministres Nikolla është firmosur vetëm pak ditë më parë në kuadër të mbajtjes jashtë fushatës për mësuesit dhe nxënësit, ndërsa ishin parashikuar edhe penalitetet në rast të konstatimit të kësaj shkeljeje.