Policia e Fierit zbardh dhe dokumenton vrasjen në Greqi të një shtetasi shqiptar duke vënë në pranga kushëririn e tij nga Durrësi.

I arrestuari është shtetasi Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në lagjen nr. 15 në, Durrës, i cili akuzohet se ka vrarë kushëririn e tij.

Për ironi të fatit do të ishte pikërisht 26-vjeçari, i cili së bashku me babanë e viktimës do të bënte kallëzim në Policinë e Fierit se i kishin vrarë kushëririn në Greqi.

Policia e Fierit me profesionalizëm dhe metoda proaktive zbardhi ngjarjen.

Policia e Fierit thotë se bashkëpunoi me Interpolin dhe Policinë Greke, ku policia Greke gjeti të groposur trupin e viktimës.

Më datën 07.08.2016, është paraqitur në Sektorin e Hetimit të Krimeve të rënda shtetasi Mersin Murrizi i cili ka kallëzuar se djali i tij Vladimir Murrizi është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitar shtetasin Denis Zaka, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi”.

Lidhur me këtë kallëzim, policia thotë se u kryen veprimet procedurale si: pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, u bënë këqyrja e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale me të cilët kishte komunikime.

Nga kryerja e veprimeve procedurale lindën dyshime të bazuara se ishim para një krimi vrasjeje dhe se i dyshuar ishte shtetasi Denis Zaka, kushëriri i parë i tij.

Sakaq, i dyshuari Denis Zaka u intervistua dhe sipas policisë, kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike”, njofton policia

I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen, dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi.

Policia e Fierit bashkëpunoi me Drejtorinë për Krimet e Rënda dhe Interpol Tirana dhe të gjitha të dhënat iu përcollën menjëherë autoriteteve policore greke, të cilat shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur.

Për këtë arsye, më datën 08.08.2016, u bë ndalimi i shtetasit Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në lagjen nr. 15 në Durrës.

Kjo çështje i kaloi Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.