Roberto Mancini nuk është më trajneri i Interit. Mungonte vetëm zyrtarizimi por tashmë edhe ai ka ardhur. Përfundon pas 20 muajsh dhe me asnjë trofe të fituar aventura e dytë e teknikut italian në krye të skuadrës zikaltër. Raportet jo të mira mes drejtuesve të Interit dhe trajnerit 51-vjecarit kanë bërë që Mancini ti japë lamtumirën klubit milanez një vit më herët nga sa parashikohej në kontratë. Në orët e vona të së Dielës palët arritën marrëveshjen për zgjidhjen me konsensus të kontratës. 2.5 milionë Euro është shumë që presidenti i Interit Erick Thohir dhe pronarët e rinj kinezë do të derdhin në llogarinë e Roberto Mancinit për prishjen e parakohshme të kontratës. Një largimi i papritur ky i trajnerit italian kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i sezonit të ri të Serisë A. Motivet e vendimit të drejtuesve të Interit për të prishur raportin me Roby Mancion janë disa.I pari kishte të bënte me faktin se tekniku italian nuk pranoi kushtin e drejtuesve zikaltër për rinovimin e kontratës që i skadonte në 2017-tën deri në 2019-tën me një pagë më të lartë por me disa klauzola në bazë të arritjes së objektivave dhe kjo bëri që palët të ndaheshin përfundimisht. Një tjetër arsye që ka ndikuar në largimin e trajnerit sipas asaj që raportojnë mediat italiane ka të bëjë me faktin se edhe vetë futbollistët nuk e donin më në stol teknikun nga Iesi. Lajmi për largimin e Mancinit u bë i ditur nga vetë klubi i Interit në faqen zyrtare. Në komunikatën e tij klubi zikaltër falenderon trajnerin 51-vjecar për punën e bërë gjatë këtyre muajve. Me largimin e Mancinit si trajneri i ri i Interit pritet të emërohet holandezi Frank De Boer. Drejtuesit e klubit milanez kanë arritur marrëveshjen me ish trajnerin e Ajaxit për një kontratë tre- vjecare nga e cila De Boer do të përfitojë nga 1,5 deri në 2 milionë Euro në sezon. 46-vjecari i cili ka fituar 4 herë titullin kampion në Holandë me Ajaxin si trajner pritet të fillojë menjëherë nga puna. Kur mbetet edhe shumë pak kohë nga fillimi i sezonit futbollistik 2016-2017, për Interin nis një epokë e re me një trajner holandez në stol.