Banori i lagjes nr. 18 në Durrës është kthyer para dy javësh nga shteti italian ku jeton me familjen prej më shumë se një dekade. Në një intervistë për DurrësLajm, qytetari durrsak denoncon vjedhjen që sipas tij i është bërë nga një punonjëse e postës.
Në datën 4 gusht, 60 vjeçari ka shkuar në postën e Durrësit, të postojë dokumentat e duhura për nënshtetësinë italiane, në Ministrinë e Jashtme.
Beqir Karepi thotë se punonjësja i ka kërkuar 260 mijë lekë të vjetra për këtë shërbim.
“Më tha duhen 260 mijë lekë, nuk kisha aq shumë lekë me vete. Vajta në shtëpi i mora. Më tha m’i jep se i numëroj unë e ia dhashë lekët, dorëzova dokumentat e më dha edhe faturë. Kur shkova në shtëpi, më pyeti djali, i dhashë atij faturën e dorëzimit të dokumentave e të lekëve. Në faturë shkruhej se kisha paguar 232.400 lekë. Punonjësja në postë më mbajti 260 mijë të vjetra, ndërkohë që me faturë pagova 232.400 lekë të vjetra. Shkova atje sërish dhe zonja nuk më dha një përgjigje konkrete. por më tha se bënin 257 mijë, vetëm 3 mijë lekë më kish mbajtur. Unë jam njeri me mendje, po ata që nuk kanë shkollë, janë invalidë apo çfarë tjeër? Çfarë ju ndodh atyre? Të vjedhin në mes të ditës e me sy hapur”, thotë qytetari durrsak.
Kjo nuk është hera e parë që në postë vidhet hapur. Pakot e qytetarëve në pjesën më të madhe janë vjedhur e askush nga punonjësit nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi. Janë me dhjetëra e dhjetëra raste që qytetarëve u janë shqyer pakot dhe punonjësit a përgjegjësit e postës nga qëndra në Tranë deri në zyrat postare nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.
Ndiqni denoncimin në videon e mëposhtme:





