Gruaja e parë e Besnik Bashës, e cila u arrestua pasi qëlloi gjashtë herë në gjumë me thikë të shoqin, ka shfaqur pendesë në Gjykatën e Dibrës. Rudina Basha ka kërkuar mëshirën e trupit gjykues për ta lënë atë pranë fëmijëve të saj, ndërsa ka deklaruar se sado ta dënojnë, ajo do të kthehet sërish te bashkëshorti i saj.
Gjykata e Dibrës vendosi për 36-vjeçaren Basha masën e sigurisë “burg pa afat” dhe “arrest shtëpie” për bashkëshortin e saj, Besnik Basha. Këto masa kërkoi para trupit gjykues edhe Prokuroria e Dibrës.
Më 27 korrik të këtij viti, Rudina Basha qëlloi në gjumë gjashtë herë me thikë burrin e saj 45- vjeçar, ndërsa shkak u dyshua xhelozia e bashkëshortes për gruan e dytë, me të cilën Besniku kishte edhe katër fëmijë të tjerë. Besnik Basha i shpëtoi vdekjes, por pas kontrollit në banesën e tij, në fshatin Dragu, iu gjet një armë zjarri dhe u arrestua në kushtet e flagrancës, paçka se ishte në urgjencën e spitalit të Peshkopisë.
36-vjeçarja, nënë e gjashtë fëmijëve, i tha trupit gjykues se nuk mbante mend çfarë kishte bërë dhe shprehu pendesë për krimin e kryer.
“Nuk mbaj mend çfarë kam bërë. Nuk kam dashur ta vras burrin tim. Vërtet kishim halle dhe jeta në fshat ishte e vështirë, por ky nuk është shkaku i ngjarjes. Lus Zotin që burri im të jetë gjallë dhe të kujdeset për fëmijët. I kërkoj ndjesë dhe lutem të jemi përsëri bashkë. Pres vendimin e drejtësisë dhe sapo të mbaroj dënimin, do të rikthehem pranë burrit tim dhe fëmijëve. Asgjë nuk e kam bërë me paramendim. Pres masa lehtësuese. Dua të jem pranë gjashtë fëmijëve”, është shprehur Rudina Basha para Gjykatës Dibër.
Rudina Basha akuzohet për veprën penale të “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, mbetur në tentativë”. Pak orë pas vendimit për Rudinën, Gjykata e Dibrës ka shqyrtuar dosjen në ngarkim të bashkëshortit, Besnik Basha, i akuzuar për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.





