Nga e hëna, në prag të sezonit turistik, nis, përgjatë vijës bregdetare të Durrësit, aksioni i madh i pastrimit.
Nisma e bashkisë Durrës do të vazhdojë përgjatë një jave, në datat 17-23 maj.
Kryebashkiakja Emiriana Sako e konsideron këtë nismë, jo vetëm në shërbim të pastrimit të bregdetit të Durrësit, por edhe si një nismë sensibilizuese për të gjithë, në mënyrë që gjithsecili të japë kontributin e tij për një qytet më të pastër.
“Ftojmë të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë në pastrimin e mjedisit të na bashkohen sepse të gjithë bashkë duhet të punojmë për një Durrës turistik”,- thotë kryebashkiakja Sako.
Aksioni i madh i pastrimit do të përqendrohet në ditë të ndryshme në zona të ndryshme të bregdetit, ndërkohë që pjesë e tij do të jenë jo vetëm ndërrmarrjet në varësi të bashkisë por edhe nxënësit e shkollave të mesme të qytetit si dhe studentët e UAMD-së.
Grafiku:
• Më 17 maj, Ndërmarrja Komunale e plazhit do të pastroje zonën e plazhit tradicional (nga AGIP-i në Plepa); kurse ndërmarrja Rruga do të pastrojë zonën tek Shkëmbi i Kavajës.
• Më 19 maj, plazhet që ndodhen në njësinë administrative të Ishmit do t’i pastrojnë të rinjtë e institutit privat EUROPE FOR ALL, që operon në të gjithë territorin italian, themeluar në vitin 2010 nga një grup të rinjsh për të promovuar programe arsimore dhe trajnuese si në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar.
• Më 20 maj, Ndërmarrja e Shërbimit Komunal Durrës dhe Ndërmarrja Rruga do të pastrojnë plazhet e Katundit të Ri, Bishtkamëz.
• Më 21 maj, shkolla e mesme “Rexhep Mezini”, ndërmarrja e shërbimit komunal dhe ndërmarrja Rruga do të pastrojnë Kalanë e Ishmit.
• Më 22 maj, nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Durrësit dhe studenttët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”Durrës do të pastrojnë Currilat.





