Këshilli i Ministrave ka miratuar përdorimin e fondit të rindërtimit në masën 190 601 138 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak.

Sipas relacionit të mbledhjes së qeverisë, që shoqëron këtë vendim, bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi 38 120 227 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Bashkia Shijak caktohet njësi zbatuese për rindërtimin e objektit social-kulturor, që pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas Instituti i Ndërtimit vendosi për shembjen e tij.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Ditë më parë, kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana prezantoi projektin e Pallatit të ri të Kulturës.

VKM

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTIT SOCIAL-KULTUROR, PALLATI I KULTURËS, BASHKIA SHIJAK, DHE CAKTIMIN E BASHKISË SHIJAK SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 190 601 138 (njëqind e nëntëdhjetë milionë e gjashtëqind e një mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak.

2. Bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 38 120 227 (tridhjetë e tetë milionë e njëqind e njëzet mijë e dyqind e njëzet e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Caktimin e Bashkisë Shijak si njësi zbatuese për rindërtimin e objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”