31 maj 2014 – Chiriches = 11 shqiptarë. Ky është titulli i uebfaqes ‘click.ro’, e cila shkruan se futbollisti rumun vlen pothuajse sa krejt Kombëtarja shqiptare. Shqipëria dhe Rumania do të përballen në miqësore dhe mediat rumune kanë gjetur kohë të bëjnë krahasime, paksa provokuese.
Sipas tyre, Chiriches kushton 11 milionë euro dhe se komplet ekipi i Kombëtares shqiptare kushton 13.750.000 euro.
‘Click.ro’ e ka postuar vlerën e futbollistëve të Gianni De Biasit, një nga një: Berisha (1,5 milion euro) – Lila (800.000), Mavraj (1,7 milion), Cana (3,8 milionë) Agolli (350.000) – Kaçe (1,2 milion), Basha (1 milion) – Meha ( 1,2 milion), Hyka (600.000), Rama (1 milion) – Kapllani (600.000).
Gjithnjë sipas kësaj uebfaqeje, nëse do të hiqej kapiteni Cana nga formacioni, i tërë ekipi i Shqipërisë do të ishte goxha më i lirë se ylli rumun, Chiriches, i cili luan në Tottenham.
Gjithashtu, kjo uebfaqe shkruan se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë rivalë të denjë për rumunët, të cilët i kanë fituar 10 ndeshje dhe i kanë barazuar tre ndaj Kuqezinjve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





