Në Ditën Botërore të Tokës nxënës të shkollave të qytetit të Durrësit ishin pjesë e ekspozitës së hapur në ambientet e QKF, ku u paraqitën me krijime që përcjellin mesazhe sensibilizuese për më shumë kujdes ndaj natyrës.

Pavarësisht moshës së vogël, ata janë shumë të ndërgjegjshëm për dëmet që njerëzimi po i shkakton planetit tonë dhe përmes pikturave, maketeve dhe aplikacione kishin projektuar Tokën si ata e imagjinojnë dhe dëshirojnë, që ajo të jetë në realitet.

Të kujdesesh për mjedisin nuk është vetëm një detyrë, por edhe një shprehje dashurie për qytetin ku jetojmë. Pikërisht përmes këtyre punimeve të realizuar me mjaft mjeshtëri, nxënësit pjesëmarrës por edhe shkollat respektive dëshmuan se në programet shkollore përkujdesja për natyrën dhe mbrojtjen e mjedisit zë një hapësirë të konsiderueshme.

“Sot marrin pjesë 116 fëmijë, të cilët me punimet e tyre më makete, piktura dhe aplikacione shprehin mesazhe për mbrojtjen e mjedisit. Marrin pjesë 14 shkolla publike dhe jo publike të bashkisë Durrës. Nxënësit kanë sjellë në këtë edicion të dytë të kësaj ekspozite punime, të cilat janë me të vërtetë për t’u vlerësuar. Nxënësit përfaqësohen me 65 piktura, 51 punime në makete dhe 16 punime në aplikacione të ndryshme”,– thotë Arian Plaku, përgjegjësi i sektorit të artit në QKF.

Nxënësve pjesëmarrës në ekspozitën “Planeti ynë, përgjegjësia jonë”, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës u akordoi nga një certifikatë për t’i vlerësuar angazhimin dhe seriozitetin e treguar për këtë projekt.

M.B.