14 prill 2014 – Ndonëse ekonomia shqiptare prej më shumë se 20 vite ka nisur rrugën e tregut të lirë dhe konkurrencës ajo vijon të bazohet tek bizneset shumë të vogla.
Forma e bizneseve dominuese në treg duket se nuk ka ndryshuar që prej nisjes së ekonomisë së lirë në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, publikuar nga INSTAT, 90% e bizneseve në vend janë kryesisht burim vetëpunësimi. Në to numërohen 1-4 të punësuar çka konfirmon edhe peshën ende të ulët të punësim të pjesës më të madhe të kompanive shqiptare.
Në vend të dytë, renditen kompanitë me 5-9 punonjës, që zënë 5% të të gjitha bizneseve që operojnë në Shqipëri, ndërkohë që ato me 10-49 punonjës dominojnë vetëm 4% të totalit. Peshën më të vogël, thuajse minimale, e zënë firmat e mëdha me më shumë se 50 të punësuar që zënë vetëm 1% të totalit të bizneseve në vend.





