Durrës, 14 prill 2014 – Një 45 vjeçar nga Shkallnuri, Durrës është kërcënuar me jetë përmes letrave dhe telefonatave anonime. I ndjerë në rrezik për jetën e tij dhe të familjarëve, 45 vjeçari G.Ll. i është drejtuar komisariatit të policisë për të bërë denoncimin përkatës.
Para efektivëve të rendit që kanë marrë denoncimin e tij, 45 vjeçari ka rrëfyer se një ditë më parë ka gjetur në banesën e tij një zarf brenda të cilit ishin futur dy letra anonime. Në të dyja letrat 45 vjeçari dhe familja e tij kërcënoheshin me jetë.
“Do të të zhdukim fare. Do të të heqim qafe”. Ishin këto disa nga frazat më kërcënuese në letrat anonime, që ishin hedhur në oborrin e shtëpisë së 45 vjeçarit.
Ndërkohë edhe përmes telefonit celular, me numra anonim, 45 vjeçari është kërcënuar dhe shqetësuar mjaft gjatë ditëve të fundit.
Në pamundësi për të zbuluar personin ose personat që e kanosin, dhe i frikësuar për jetën e familjarëve të tij, 45 vjeçari G.Ll. ka kërkuar ndihmën e forcave të rendit. Pasi kanë marrë dëshminë e të kërcënuarit me jetë, efektivët e rendit kanë nisur punën për të zbuluar identitetin e autorit të këtyre kanosjeve ndaj 45 vjeçarit nga Shkallnuri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





