Durrës, 14 prill 2014 – Inspektoriati i Ujësjellës Kanalizimeve Durrës vazhdon aksionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujit të pijshëm si dhe mbledhjen e debive të vjetra. Gjatë ditës së sotme aksioni është përqendruar në aksin e autostradës Durrës – Tiranë, duke prerë 6 pika lidhje që ishin bërë pa asnjë marrëveshje apo kontratë me ndërmarrjen e Ujësjellësit.
Në total janë prerë 14 lidhje ose ndërhyrje të paligjshme në rrjet, të cilat konsiderohen si pika të mëdha për shkak se i përkasin bizneseve të llojeve të ndryshme. Përveç tyre, grupet e punës që kanë filluar këtë proces që në fillim të javës së kaluar, kanë prerë edhe rreth 60 lidhje të tjera që i përkasin familjeve të ndryshme, kryesisht në shtëpi private në zonën e Shkozetit. Përveç ndërhyrjeve në zonën e Shkozetit, Inspektoriati i UKD ka ndërhyrë edhe në zonën e Katundit të Ri ku deri tani në dy zona të kësaj komune janë lidhur në masën 60 përqind aktmarrëveshjet me UKD.
Ujësjellës Kanalizime Durrës është e vendosur që të frenojnë përfundimisht procedurat abuzive të konstatuara në lidhje me kontratat, të cilat shpesh me anë të një telefonate në të kaluarën ndryshonin në favor të klientëve dhe në dëm të shoqërisë UKD sh.a. Gjatë ditëve të aksionit të grupeve të punës janë konstatuar nderhyrje tek matësat nga ana e klientëve, por ato do të vulosen përsëri nga grupet e punës. Në rastet kur ndërhyrja është bërë për të shmangur pagesën e ujit të konsumuar, do të ketë penalitete me gjoba deri 50 mijë lekë si dhe kallëzim për ndjekje penale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





