Itali, 14 prill 2014 – Tronditet Ferrari me pasigurinë që shtohet edhe më tej pas mungesës së rezultateve të shumëpritura në garat e para të sezonit të ri të Formula 1. Stefano Domenicali nuk është më bosi i skuadrës kokëkuqe, një vendim që në një farë mënyre ishte paralajmëruar nga vetë presidenti Luca Montezemolo pak ditë më parë gjatë prezantimit të hapësirave të reja të muzeut të Ferrarit në Maranello.

Montezemolo kishte deklaruar se skuadra do të punojë ditë e natë për të përmirësuar sa më shpejt rezultatet dhe madje nuk do të ketë asnjë ngurrim për të marrë vendimet e nevojshme sado radikale të jenë ato e këtu mesa duket e ka patur fjalën për një ndryshim që fillon nga koka e skuadrës, pra është Domenicali i pari që sakrifikohet.

Në vend të tij prej garës së radhës në Kinë, frenat e skuadrës do t’i marrë në duar Marco Mattiaci, presidenti aktual dhe administratori i deleguar i Ferrarit në Amerikën e Veriut. Prej vitit 2008, Domenicali ishte bosi i skuadrës që ka bërë historinë në Formula 1, post që e pasoi me largimin e Jean Todt dhe në sezonin e tij të parë Ferrari fitoi titullin për konstruktorë, ndërsa braziliani Felipe Massa ishte shumë pranë trofeut për pilot, një shans i humbur në garën e fundit e madje në kthesën e fundit në pistën e shtëpisë.

Edhe më i dhimbshëm ishte sezoni 2010 për të gjithë ferraristët me titullin që i iku nga duart spanjollit Fernando Alonso nga një strategji e gabuar në Cmimin e Madh të Abu Dhabit e që nga ajo kohë, skuadra nga Maranello e ka patur shumë të vështirë të ndryshojë marshet në drejtim të fitoreve. Në një sezon me plot risi për të gjitha skuadrat, një erë e re pritet tashmë edhe për Ferrarin, që aspiron rikthimin te titujt me një dyshe të fortë pilotësh kampionë si Fernando Alonso e Kimi Raikkonen.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/