11 prill 2014 – Dhimbjet e muskujve vijnë nga shkaqe të ndryshme si nga ngritja e peshave, lodhja, mosbërja e aktiviteteve fizike, përdorimi i drogave etj. Më poshtë do të gjeni këshilla se si t’i trajtoni ato…

Dhimbjet e muskujve janë një problem i vërtetë, si për sa i përket diagnostikimit, edhe për mundësinë e gjetjes së terapisë më të përshtatshme. Është i rëndësishëm konsultimi me mjekun. Në çdo rast, është e nevojshme që të kuptoni arsyet e mundshme për dhimbjet e muskujve, duke treguar edhe mjetet që mund të përdoren për të përmirësuar shëndetin. Pa dyshim, një nga arsyet kryesore është stili i jetës. Ndryshe nga brezat e mëparshëm, sot lëvizet më pak dhe rrjedhimisht muskulatura është më e dobët dhe më pak e tonifikuar.

Muskujt e patrajtuar dhe të dobët nuk janë në gjendje të mbajnë në mënyrën e duhur peshën e trupit dhe si pasojë, pesha do të bjerë e gjitha në kolonën vertebrale. Po aq e vërtetë është se ka shumë njerëz të cilët praktikojnë aktivitet fizik dhe për këtë arsye u nënshtrohen përpjekjeve të mëdha fizike. Qëndrimi ka një rol shumë të rëndësishëm në këto lloj dhembjesh, për shembull të punuarit në kompjuter, udhëtimet me makinë, mbrëmjet para televizorit, ndërkohë nuk duhet harruar fakti se një pjesë të mirë të kohës sonë e kalojmë ulur. Si përgjigje të këtyre zakoneve të këqija shtohet tensioni dhe dhembjet e muskujve. Stresi fizik dhe psikologjik mund të përkeqësojë situatën.

Shkaqet më të zakonshme për dhimbjet e muskujve janë:

-Lëndimet, trauma dhe shtrembërimet;

-Përdorimi i tepruar i një muskuli, i ftohti, tensioni dhe stresi;

-Ilaçet për uljen e presionit të gjakut, ose për të ulur kolesterolin;

-Kokaina;

-Zhbalancimi elektrolik si për shembull mungesa e kaliumit ose e kalciumit;

-Gripi dhe infeksionet;

-Absces në muskuj;

-Poliomieliti;

-Fibromialgjia: dobësi e muskujve, lodhje, dhembje koke dhe vështirësi të lidhura me gjumin;

-Ushqyerje jo e shëndetshme.

Këshilla

Kur dhimbjet e muskujve nuk shkaktohen nga sëmundje për të cilat duhet patjetër të përdorni ilaçe, ka një sërë metodash natyrore që mund t’i vini në praktikë:

Masazhet

Ato janë efektive veçanërisht në rastin e dhembjeve muskulore të shkaktuara nga fibromialgjia.

Ushtrimet fizike dhe tendosja

Ndihmojnë për rivendosjen e tonifikimit të muskujve. Ecja, çiklizmi dhe noti janë aktivitete të mira sportive. Një terapeut fizik mund t’ju mësojë tendosjen, tonifikim dhe ushtrime aerobike që të mund ndiheni më mirë dhe që të shmangni dhembjet. Shmangni aktivitetin e fortë aerobik dhe peshat, sidomos kur jeni të lënduar, apo kur ankoheni për dhimbje. Pini shumë lëngje para, gjatë dhe pas ushtrimeve.

Joga

Ushtrimet dhe qëndrimet e jogës mund të jenë të dobishme pasi ndihmojnë për të reduktuar stresin dhe për të nxitur gjumin dhe për të relaksuar muskujt.

Antiinflamatorë dhe analgjetikë

Përdorini për qetësimin e dhimbjeve të muskujve për shkak të lëndimeve ose nga aktiviteti i tepërt. Aplikoni akull për 24 orët e para për të ulur dhimbjet dhe inflamacionin. Nëse punoni në të njëjtin pozicion pjesën më të madhe të ditës (ulur në një kompjuter), ngrihuni dhe bëni lëvizje të paktën një herë në çdo orë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/