Tiranë, 11 prill 2014 – Shqipëria nuk do të ketë zona të harruara nga investimet. Ky është premtimi i kryeministrit Rama në prezantimin e planit të punës për një “Rilindje Urbane”. Ndërsa opozitës i është lënë afat deri të enjten e ardhshme për të zënë vendet e saj në Komisionin e posaçëm për reformën administrative-territoriale, kryeministri Edi Rama, ka ftuar edhe një herë demokratët për bashkëpunim. Në të kundërt, Rama tha se në përmbushje të kontratës me qytetarët, do e mbyllë vetëm reformën.
“Ne, pa as më të voglin dyshim duam ta bëjmë bashkë me opozitën, për këtë arsye kemi kaq kohë që e presim opozitën, po nuk po e presim duarkryq, por ndërkohë po punojmë intensivisht edhe me komunitetet falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi marrë nga partnerët dhe nga donatorët, por ne jemi votuar në 23 qershor që të udhëheqim dhe populli shqiptar na ka hequr çdo alibi të mundshme për katër vite më pas, sepse na ka dhënë shumicën e cilësuar me të cilën ne mund, duhet dhe do të bëjmë reformën territoriale dhe do të bëjmë dhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, për të cilat vazhdojmë të presim me durim, por nuk do të presim pa fund, siç është reforma në drejtësi”,- tha Rama.
Kryeministri lëshoi thirrjen e tij, ndërsa prezantoi projektet e përzgjedhura për të rilindur nga pikëpamja urbane rajonet dhe qytetet. Qeveria ka vendosur që përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit të investojë në disa qytete të vendit në qytete të vendit, të cilat sipas Ramës nuk kanë parë para prej 20 vitesh.
“Është një pakete e re dhe transformuese investimesh e cila hapet sot por nuk mbyllet sot. Projektet që do të marrin udhë menjëherë janë projekte që dolën fituese nga thirrja e parë, thirrja e dytë është e hapur dhe pjesa tjetër e paketës së investimeve do të plotësohet me përzgjedhjen e proceseve të tjera. Por nga ky proces ka disa gjëra të rëndësishme. Ne kemi parë si kanë funksionuar në vite një fond i quajtur i zhvillimit të rajonit pa asnjë standar nga pikëpamja e projektimit, pa asnjë standart nga pikëpamja e përzgjedhjes dhe nga pikëpamja e implementimit. Në të njëjtën kohë kjo mungesë standartesh lidhet edhe me një mungesë të qartë kapacitetesh në nivelin vendor dhe me një mungesë të përbashkët kapacitetesh për të financuar zhvillim rajonal në kushtet e një fragmentimi kaq dramatik të territorit dhe një copëzimi kaq asfiksuese të administrimit vendor”,- tha Rama.
Berati, Gjirokastra, Bulqiza, Lezha do të jenë disa prej qyteteve që përfitojnë nga kjo paketë e parë investimesh, e domosdoshme sipas Kryeministrit, përballë një territori të copëtuar. Qeveria parashikon që bashkë me rilindjen urbane të sjellë edhe rilindjen e punësimit, pasi projekti parashikon hapjen e mijërave vendeve të punës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





