Tiranë, 11 prill 2014 – Publikohen data e provimeve të lirimit për shkollat 9-vjeçare. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nxënësit do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe në datën 23 qershor dhe të Matematikës në datën 27 qershor. Provimet e lirimit do të fillojnë në orën 10.00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Për nxënësit e pakicave kombëtare që i përkasin atyre greke dhe maqedonase, udhëzimi i MAS parashikon që provimi të zhvillohet në lëndën gjuhë amtare në datën 20 qershor.

Provimet e lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta do të zhvillohen nën masa të rrepta sigurie. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, nxënësit do të testohen për dy provimet kombëtare të lirimit vetëm në ambientet që u përkasin shkollave publike. Çka do të thotë se mijëra nxënës në të gjithë vendin që kanë vijuar studimet e arsimit të detyruar në shkollat jopublike, do të duhet të paraqiten në ambientet e shkollave publike të përcaktuara nga AKP, për të dhënë provimin e matematikës dhe gjuhës shqipe sipas datave të konfirmuara tashmë. Një tjetër risi është edhe përzgjedhja e mësuesve që do të merren me mbikëqyrjen e ambienteve të provimit. Për të kryer këtë proces do të këmbehen mësuesit e shkollave, çka do të thotë se mësuesit e një shkolle do të dërgohen në një tjetër shkollë. Nuk do të lejohet që procesi i provimit të mbikëqyret nga mësuesi i lëndës që zhvillohet provimi.

Në rregullore përcaktohet se kriteret që duhet të plotësojnë qendrat e provimit janë: “Të jenë vetëm në shkollat publike, të mos kenë më pak se sa 20 nxënës, në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël se sa ky numër, atëherë ata grupohen në ambientet e shkollave të tjera. Në zonat rurale, koha e shpërndarjes së materialeve të provimit është në varësi të largësisë së mjedisit të provimit nga komisionet përkatëse të provimeve të lirimit, por jo më parë se 24 orë para fillimit të provimit”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/