Tiranë, 11 prill 2014 – Komisioni hetimor për lëvizjet në policinë e shtetit ka përplasur mes tyre ish-drejtuesin e Mnistrisë së Brendshme, Flamur Noka, dhe Ministrin aktual Saimir Tahiri. Në kulmin e dëshmisë së ministrit të Brendshëm në komisionin hetimor për Policinë, ish-ministri Noka lexoi një mesazh që tha se kryeministri Rama ia ka dërguar Tahirit. Në mesazh shprehet zhgënjimi i madh i Ramës për gjendjen e kriminalitetit në vend për muajin mars. Sipas kësaj sms-je Rama i thotë Tahirit se nuk është shumë larg së menduari se problemi është ai dhe jo vartësit e tij. Por nga ana e tij ministri i Bendshëm Tahiri tha se ky është një mesazh që ai ua ka dërguar dy bashkëpunëtorëve të tij.
Mesazhi i plotë që Noka tha se është i dërguar nga kryeministri për Tahirin
Nga muaji mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me marsin e vitit 2013. Gjithashtu janë përkeqësuar treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët. Shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike.
Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe kemi marrë përsipër përballë qytetarëve,pra as unë dhe ti.
Është e përsëritur puna për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por ky kufi nuk mund të shkelet falë një neglizhence fatale si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shumë larg së menduari se problemi je ti dhe jo vartësit e tu dhe nëse janë të paaftë dhe nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty.
Unë besimin ta kam dhënë, detyra dhe pritshmëritë e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri.
Flasim nesër për më tepër por këto orë që kanë mbetur beje më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, ç’nuk ke bërë mirë e çdo bësh për t’i riparuar në qoftë se mundesh.
Mesazhi pasoi një pyetje drejtuar Ministrit po nga zoti Noka:
“Të jem i sinqertë është hera e parë në këtë periudhë që merrem me politikë që bie dakord me Kryeministrin tend dhe kryetarin e PS. Pyetja është kush gënjen këtu, ju që keni një orë që tregoni se policia ka arritur majat e performancave europiane, apo Kryeministri me këtë mesazh që ju ka dërguar ju ?”
Reagimi i parë pas mesazhit të lexuar nga ish-paraardhësi i tij ishte një buzëqeshje nga zoti Tahiri, ndërsa nuk ka nguruar se ky veprim edhe njëherë tregon gjendjen në të cilën ishte katandisur policia e shtetit. Ai ka mohuar ketegorikisht që ketë mesazh t’ja ketë dërguar Kryeministri, duke shtuar se ai e bën punën e tij shumë mirë. Ai deklaroi se mesazhi mban firmën e tij dhe ia ka adresuar dy bashkëpunëtorëve, duke treguar edhe mesazhin ne telefon.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





