Korçë, 7 prill 2014 – Tenton të zbresë nga kati i pestë i pallatit ku banonte me anë të çarçafëve, por ka rrëshqitur dhe tashmë është në gjendje kritike për jetën. Ngjarja e pazakontë, që ngjan me skenarin e një filmi ka ndodhur sot në qytetin e Korçës. Një 15 vjeçare ishte mbyllur në dhomë nga e ëma që t’i përkushtohej studimit, por duket se dëshira e vajzës për të dalë ka qenë më e fortë.

Në pamundësi për të dalë në mënyrë tjetër nga shtëpia, 15 vjeçarja ka përdorur çarçafët, me të cilët shpresonte se do të zbriste e sigurt në tokë.

Po ndërsa ka mundur të zbresë vetëm 1 kat, ajo më pas ka rënë në tokë në një lartësi të barabartë me katin e katërt të pallatit.

Nga përplasja me tokën, adoleshentja ka pësuar dëmtime të shumta dhe është në rrezik për jetën. Ajo është shoqëruar me urgjencë në spitalin e qytetit. Policia ka shkuar në vendngjarje për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje aspak të zakontë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/