Durrës, 7 prill 2014 – Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka nisur një aksion të gjerë për arkëtimin e debive të palikujduara nga abonentët familjarë dhe bizneset.

Aksioni i sotëm është përqendruar në zonën e Shkozetit, e cila rezulton të jetë një nga lagjet më problematike përsa i përket debive kundrejt UKD. Sipas UK Durrës, në këtë zonë shuma e borxheve që abonentët kanë ndaj ndërmarrjes arrin në vlerën 76 milion lekë në total, nga të cilat 64 milion është debia e klientëve familjarë dhe 12 milion debia e klientëve privatë.

Për të ndëshkuar të gjithë debitorët, drejtoria e Ujësjellës Kanalizime Durrës ka ngritur tetë grupe pune që nga sot kanë nisur aksionin në terren për mbledhjen e debive dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

Grupet e punës do të njoftojnë secilin klient për të paguar shumën e detyrimeve ndaj Ujësjellësit, duke i lënë një afat të caktuar për pagesën e debive. Objektivi i kësaj ndërmarrjeje është që brenda një jave (nga data 7 deri në 14 prill), të arrihet arkëtimi në masën 85 për qind.

Pas aksionit që do të zhvillohet në Shkozet, grupet e punës do të vijojnë punën për arkëtimet e debitorëve në zonën e Plazhit, Spitallës dhe Porto Romanos.

Shefi i zyrës juridike në ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës, Ardian Iljazaj, tha se për personat që kanë kryer lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellës- kanalizime do të aplikohet gjobë në shumën 50 mijë lekë deri në kallëzim për ndjekje penale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/