Durrës, 7 prill 2014 – Është përkujtuar në Durrës 75 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Xhelilaj, kryetari i Këshillit të Qarkut, Alfred Mullaraj, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, veteranë, si dhe shumë qytetarë durrsakë që kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, theksoi në fjalën e tij se liria u arrit me gjak e sakrifica që na rreshtuan në atë kohë në aleancën antifashiste. Ai nënvizoi se edhe pas 75 vitesh ne kujtojmë me respekt të thellë gjakun e derdhur nga shumë të rinj durrsakë për çlirimin e qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.
“Përkujtojmë sot ashtu si çdo vit 7 Prillin, një ndër datat historike më të rëndësishme për të gjithë Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë për qytetin e Durrësit. Si sot 75 vjet më parë Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Patriotët shqiptarë luftuan si mundën, sa mundën dhe ku mundën për liri dhe dinjitet. Ishim të varfër, por Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ato ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi. Nder dhe mirënjohje për ta! Kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Ne si qytetarë të Durrësit ndjehemi krenarë sepse qyteti ynë u kthye në një front të bashkuar duke u shndërruar në këtë mënyrë në një simbol të qëndresës kombëtare ndaj pushtimit fashist dhe Lufta Antifashiste, si një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë, zë fill pikërisht këtu, në këtë shesh, ku ne sot, 75 vjet më pas, vijmë të përkujtojmë ata që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut. Pranë monumentit të Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, janë të skalitur emrat e atyre të rënëve që me gjakun e tyre u bënë luftëtarët dhe dëshmorët e parë të Rezistencës Antifashiste në Europë. Ne do ta kujtojmë përherë me krenari 7 Prillin si ditën e parë të Rezistencës Antifashiste në Shqipëri dhe sot ne nderojmë edhe të gjithë ata që pavarësisht rreshtimeve politike të kohës, çasti historik i gjeti me armë në dorë, përkrah njëri-tjetrit, në mbrojtje të vendit. I nderuar qoftë kujtimi i tyre!”,- tha Dako.
Në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe kryetari i komitetit kombëtar të veteranëve Rustem Peçi, i cili vuri në dukje edhe sakrificat deri në vetëflijim të dëshmorëve të luftës si Mujo Ulqinaku dhe patriotë të tjerë durrsakë që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





