Durrës, 7 prill 2014 – Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme "Leonik Tomeo" në qytetin e Durrësit kanë bojkotuar sot mësimin në shenjë proteste ndaj vendimit të marrë nga Drejtoria Arsimore Rajonale për largimin e disa mësuesve të tyre dhe zëvendësimin me mësues të rinj.

Nxënësit e vitit të parë dhe të dytë të kësaj shkolle të mesme kanë bojkotuar në mënyrë demonstrative mësimin dhe nuk kanë pranuar të futen nëpër klasa, pasi e konsiderojnë të padrejtë vendimin e marrë nga DAR.

Me pankarta në duar ku shkruhej: “Duam zysh Edën”, “Duam zysh Bonën”, “Drejtësi në arsim” etj. nxënësit e dy viteve të para kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për largimin e një pjese të mirë të stafit pedagogjik të kësaj shkolle. Sipas nxënësve, largimet e mësuesve të tyre janë të padrejta, për më tepër që kjo lëvizje bëhet në një kohë kur viti shkollor është drejt përfundimit.

Protesta e nxënësve ka vijuar për disa orë. Ata nuk kanë pranuar të futen në mësim megjithë kërkesat e drejtorisë së shkollës dhe stafit pedagogjik për të vijuar normalisht procesin mësimor. Nxënësit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të bojkotojnë mësimin derisa të merret vendimi për rikthimin e mësuesve të tyre në punë.

Ndërkohë nga drejtoria rajonale e Arsimit në Durrës nuk ka pasur asnjë reagim për bojkotin që nxënësit e shkollës “Leonik Tomeo” i bënë sot mësimit apo transferimin e disa mësuesve të kësaj shkolle dhe zëvendësimin e tyre me të rinj. 

Pak ditë më parë agjencia e lajmeve “Dyrrah” publikoi emrat e mësuesve që ishin transferuar nga kjo shkollë si dhe paralajmëroi se transferime të ngjashme do të bëhen edhe në shkollat e tjera të qytetit të Durrësit.

 

Mësueset që u transferuan nga shkolla e mesme “Leonik Tomeo”

–         Nëndrejtorja e shkollës zonja Aurora Prevazi (Balliu), u lirua nga detyra dhe u transferua si mësuese e thjeshtë në shkollën e mesme “Naim Frashëri.

–         Mësuesja e matematikës Doriana Daci u transferua në shkollën e fshatit Shënavlash të Rrashbullit.

–         Mësuesja e matematikës Mira Qesja u transferua në shkollën e mesme të përgjithshme “Olsi Lasku” në Shkozet.

–         Mësuesja e fizikës Eda Kacmoli u transferua në shkollën nëntëvjeçare “Nënë Tereza”.

–         Dy mësuese të gjuhëve të huaja, anglisht dhe frëngjisht, po ashtu u larguan nga shkolla “Leonik Tomeo”.

/e.a. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/