Angli, 7 prill 2014 – Anglia është kthyer në një destinacion shprese për shqiptarët. Qindra e qindra shqiptarë në vit mësyjnë ilegalisht drejt Anglisë. Në përgjithësi ata fshihen në karroceritë e kamionëve të tonazhit të lartë që hyjnë në Angli ose nëpërmjet Tunelit të La Manshit, ose me tragete, që lundrojnë nga portet belge dhe franceze kryesisht drejt portit anglez të Doverit.
Rasti më i fundit i kapjes së klandestinëve shqiptarë, që tentojnë të futen në Angli, ishte disi më specific. Policia angleze në bashkëpunim me kolegët francezë ndaloi një jaht në bregdetin e kontesë së Kentit. Në jaht u gjetën 3 burra, 6 gra dhe 2 fëmijë shqiptarë. Mosha e të rriturve shkonte nga 19 deri 41 vjeç. Policia arrestoi për favorizim emigracioni klandestin, 2 anëtarë të ekuipazhit të jahtit, banorë të ishullit anglez të Kenvejit (Canvey), të moshës 36 dhe 47 vjeç.
Një tjetër britanik 32 vjeçar u arrestua në Londër si pjesë e grupit, që fuste emigrantë shqiptarë kontrabandë në Angli. Shqiptarët, pasi të mbarojë marrja në pyetje nga policia do të dëbohen për në Shqipëri, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara midis qeverisë angleze dhe asaj shqiptare.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





