Tiranë, 7 prill 2014 – Gazeta “Panorama” shkruan sot se FMN kërkon sigurim me detyrim për shtëpitë nga tërmetet. Shqipëria është dukshëm e ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës, dhe për këtë qeveria duhet të marrë masa që të zvogëlojë riskun e impaktit social dhe fiskal.
Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë propozuar që të hartohet një program kombëtar për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive. Pra, çdo individ që ka në pronësi një shtëpi duhet ta sigurojë atë te kompanitë e sigurimit.
Detajet lidhur me këtë propozim dhe mënyrën sesi është pritur kjo nga qeveria shqiptare FMN-ja i jep në raportin që publikoi lidhur me situatën e sektorit financiar në vendin tonë.
“Një ndër sfidat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është të përgatitë dhe miratojë legjislacionin dhe rregulloret për sigurimin e jetës që aktualisht nuk janë aty ku duhet. Kjo të bëhet me ndihmë teknike nga jashtë, pra me ekspertë shumë të kualifikuar për sigurimin e jetës dhe të propozojë një program sigurimi kombëtar për tërmetet për të gjithë ata që kanë një shtëpi në përputhje me kërkesat e menaxhimit të riskut nga katastrofat”, thuhet në raportin e FMN-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





