Greqi, 7 prill 2014 – Televizioni grek Alfa publikoi disa foto tronditëse nga qelia në burgun e Nigritas, ku u torturua për vdekje shqiptari Ilia Kareli. Shenja dhe njolla gjaku në mure, në çarçaf dhe dyshek, në qelinë pa kameria ku u rrah në mënyrë të egër për rreth 2 orë, 42 vjeçari shqiptar. Ndërkaq, nga hetimet rezulton se 2 gardianët, ish-komando policie, me inicialet K.X dhe X.K, pasi e pështynë dhe e ofenduar i dhanë goditjet fatale.

Sipas TV Alfa , gardianët e burgut e rrihnin, e shanin dhe e mallkonin dhe e pështynin të dënuarin. 

Në aktakuzën e prokurorit të Serresit thuhet: “Të gjithë së bashku e kanë rrahur Ilia Karelin me grushta dhe shqelma. Ata kanë përdorur pjesë çarçafi duke improvizuar një kamzhik, të cilin e lagnin me ujë, për ta bërë goditjen edhe më të fortë. Kareli u godit në pjesë të ndryshme të trupit, prapa, në këmbë, sidomos në shputa, gjoks, bark dhe kokë". 

Pas abuzimit të tmerrshëm, rojet e dërguan në qelinë e tij ku ai ndërroi jetë. 

Në një nga fotot duket qelia ku u masakrua shqiptari Ilia Kareli, ndërsa në fotot e tjera dallohen njollat e gjakut në mur. Ndërkaq, për një moment shfaqet mbulesa e gjakosur, me të cilën u mbështoll 42 vjeçari, ndërsa më tej duken rrobat që kishte veshur Kareli kur u gjet pa jetë.
Lidhur me ngjarjen 8 gardianë shkuan të shtunën në hetuesi, por ata kërkuan kohë për të përgatitur dëshminë dhe mbrojtjen e tyre, ndërsa 7 të tjerë pritet të dëshmojnë të martën.