·        Kritikat e Partisë dhe shpëtimi i filmit pasi u pëlqye nga udhëheqja e lartë

 

Petraq Qafëzezi, inxhinier, ushtarak si dhe autor i një sërë poezish dhe romanesh, tregon historinë se në çfarë rrethanash u shkrua skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, i cili mori shkas nga romani i tij “Bonjakët”, i botuar në vitin 1972. Përse fillimisht filmi nuk u pëlqye nga zyrtarët burokratë të partisë dhe si ndryshoi rrjedha dhe fati i tij pasi filmi ishte parë pa u shfaqur në familjen Hoxha. Nisja e karrierës së tij me një dëshirë të hershme për t’u bërë pilot dhe dalja në pension si projektues dhe inxhinier i shumë ndërtimeve me karakter social-kulturor.

Petraq Qafëzezi është një pensionist që e ka ndarë jetën e tij në tre etapa: Nisjen e punës për të vënë në jetë dëshirën për t’u bërë pilot, studimi në Rusi si kursant i avancuar, kthimi në atdhe si projektues dhe arkitekt në Ministrinë e Ndërtimit. Njëkohësisht me këto ai është edhe autor dhe pjesëmarrës i të gjithë festivaleve të këngës, deri në Festivalin e 11-të si autor tekstesh. Romani i tij “Bonjakët”, një roman autobiografik, është baza e skenarit të filmit “Lulëkuqet mbi mure”, film i cili fitoi çmimin e parë për regjinë dhe skenarin e tij. Petraq Qafëzezi është gjithashtu edhe piloti i parë shqiptar që hidhet me katapultë, pasi avioni i tij me të cilin kryente stërvitje, po rrëzohej në afërsi të bregdetit në Pish Poro, midis Fierit dhe Vlorës në vitin 1958.

 

Ëndrra e pilotit

Petraq Qafëzezi ka lindur në Korçë në 11 mars 1935. Pas arsimit bazë, ai kryen shkollën e mesme teknike dhe nis Universitetin në Tiranë për degën inxhinieri ndërtimi. Pa përfunduar studimet e larta, ai regjistrohet në kursin që sapo kishte nisur për pilotët e parë shqiptarë. Petraqi tregon se ishte dëshirë e shumë të rinjve në atë kohë për t’u bërë pilot, sepse me anë të këtij profesioni të jepej mundësia për të dalë jashtë vendit, të shikoje një botë tjetër. Kursi i parë i aviacionit u hap në vitin 1958, në kohën që ai ishte në vitin e tretë të shkollë së lartë. Fillimisht kandidatët e parë për pilotë nisën punën në Tiranë, ndërsa më pas në Qytetin Stalin (Kuçovë). Ishte koha kur sapo kishte filluar të ndiheshin acarimet e Shqipërisë me vendet e bllokut të Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik. Fillimisht stërvitjet dhe trajnimet për pilotët shqiptarë nisën duke përdorur avionë me helikë, në vitin e parë, kurse në të dytin me avionë reaktiv, MIG. Gjatë stërvitjeve të parë Petraqi tregon se pati një incident. Një kursant, Jovan Kacorri, ra me gjithë avionin e tij duke vdekur në një nga fushat e Fierit. “Ai ishte pjesë e grupit katërsh ku isha edhe unë, por pas ca kohësh pothuajse e njëjta gjë do më ndodhte edhe mua”, -kujton Petraqi. Pistat për stërvitjet ishin ndërtuar në fusha, duke u sheshuar vendi me buldozerë.

“Ne stërviteshim në zonën midis Fierit dhe Vlorës, në Pish Poro. Isha ngritur me avionin tim dhe isha në një lartësi prej rreth 4000 metër. Ishte një moment që unë po zbrisja poshtë dhe më pas do të kthehesha menjëherë lart, një veprim që bëhet në stërvitje të tilla, por që gjatë këtyre manovrave avioni ka dy krahë në fund që në kohën e uljes ato hapen për të ulur shpejtësinë e tij, kurse në ngjitje krahët mbyllen që të rritet shpejtësia e avionit. Në këtë manovër unë konstatova se krahët mbetën të takuar dhe nuk i përgjigjeshin komandave të mia nga kabina. Avioni filloi të ngjitej lart, por jo me shpejtësinë e duhur. Në këto kushte unë bërë një tentativë për ta nxjerrë lart, por ai filloi të bjerë, në një formë që pak a shumë njihet si forma e spirales ose turrielës. Duke qenë se avioni po zbriste poshtë drejt tokës me shpejtësi desha të njoftoj instruktorët që na komandonin, por në atë kohë ka qenë edhe një pilot tjetër që po komunikonte me qendrën dhe kështu zëri im nuk u dëgjua. Vendosa të hidhem me katapultë, megjithëse veprimi im që po bëja në 4000 metër lartësi ishte i rrezikshëm, ai duhej bërë në lartësi më të madhe. Zakonisht pilotët e “stoperës” i kryejnë këto manovra në lartësi më të mëdha dhe afro 80 për qind e pilotëve që hidhen nga avioni në këto momente nuk shpëtojnë pa pasoja. Megjithatë unë vendosa të hidhesha, shtypa butonin dhe katapulta doli me shpejtësi nga kabina. Gjatë kësaj kohe krahu i djathtë, në afërsi të bërrylit u gjakos, pasi kabina ishte e ngushtë dhe duhet të rrije me duar të ngjitura fort pas trupit. Gjatë rënies bëra kujdes që të mos bija mbi liqen, poshtë dukej laguna e Nartës. Ka një teknikë në këto raste kur je duke u hedhur me parashutë, përdoret manovra e rrëshqitjes, kjo bën që të mënjanohet kupola dhe të rritet shpejtësia, në mënyrë që të shmangej rënia në ujë. Gjithsesi parashuta ishte e pajisur edhe me një varkë, e cila kishte bombolën e gazit që e frynte varkën bashkë me një kovë të vogël që mund të përdorej në rast se ajo mbushej me ujë. Megjithatë munda të largohem nga uji dhe rashë në një fshat, në një arë ku po punonin shumë gra. Ato erdhën menjëherë dhe njëra prej tyre grisi një rrobë që më lidhën krahun, sepse kisha humbur shumë gjak. U mjekova shpejt e shpejt në ambulancën e fshatit dhe më pas u nisa drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë ku e operova krahun”,- kujton Petraqi.

 

Stërvitja e avancuar në Rusi

Në Bashkimin Sovjetik do të shkonin rreth 20 kursantë shqiptarë, pesë prej të cilëve, midis tyre edhe Petraq Qafëzezi, vinin nga jeta civile. 15 të tjerët ishin “skënderbegas” dhe të gjithë u vendosën në qytetin e Krasnodarit. Kishte një dallim të madh midis atyre që vinin nga shkollat civile dhe skënderbegsave, të cilët ishin mësuar me rregulla dhe uniformë që në moshë të vogël. Kursi që zhvillohej në Rusi për pilotët ishte më i avancuar, ndërkohë që Petraqit i ra shorti që nga avion reaktiv, të kalonte në avion bombardues. Ai tregon pas shumë vitesh se ndiente një kënaqësi të veçantë, sepse shikohej me sy tjetër edhe nga rusët. Ishte kursanti që shpëtoi i gjallë pas hedhjes me katapultë nga avioni, madje ishte piloti i parë shqiptar që e realizonte një gjë të tillë. Kishte një gjë tek 20 kursantët që shkuan në Rusi, pothuajse të gjithë ata ishin të shkëlqyer në mësime dhe nuk mund të ndodhte që aty të shkonin nxënës mesatarë, ose të një niveli më të ulët. Të gjithë kursantët shqiptarë e kishin mbaruar kursin e avionëve me helikë dhe tani ishte koha që ata të përgatiteshin për diçka më të avancuar. Kujdestari i tyre në Rusi ishte kapiten Titovi. Shumë shpejt kursantët shqiptarë do të konstatonin se do trajtoheshin si fillestarë, megjithëse ata nuk ishin të tillë. Norma e ushqimit ishte e ulët, ndërsa uniforma që iu dhanë ishte njëlloj si e ushtarëve. Këto mjaftuan që kursantët të rebeloheshin. Petraqi kujton në këtë moment se: “unë, si më i madhi nga të gjithë, isha përgjegjës i grupit dhe merresha çdo ditë më punët e zgjimit dhe organizimit të grupit tonë. Një ditë kur iu thashë të ngrihen në mëngjes për të shkuar për të ngrënë mëngjesin, ata nuk u çuan. Kishin nisur grevën dhe ishin pikërisht kursantët skënderbegas që e kishin organizuar një gjë të tillë. Ata ishin të vendosur që të mos ndryshonin mendim, por ne si përgjegjës na thanë që të shkojmë, pasi mund të penalizoheshim rëndë. Për këtë ngjarje u bë problem i madh, erdhi një gjeneral nga Rostovi dhe kur pyeti se cili është shkaku i grevës, na dha neve të drejtë. Gjenerali mbështeti grevën e shqiptarëve edhe për ushqimin, edhe për uniformën, por kursantët skënderbegas ngulnin këmbë: Përse nuk na i keni dhënë këto? Për këtë ngjarje u njoftua edhe gjenerali shqiptar Halim Ramohito, i cili ishte atasheu ushtarak në Bashkimin Sovjetik në atë kohë. Ai erdhi menjëherë dhe u bë një mbledhje e shpejtë. Unë nuk mora pjesë, sepse nuk dija gjë, kisha dalë për qejf me një vajzë ruse që sapo e kisha njohur. Në mbledhje donin që të nxirrnin shkaktarin dhe organizatorin e grevës dhe duke qenë se unë isha më i madhi dhe nuk isha prezent, thanë që këtë punë e kisha bërë unë. Kështu pas pak ditësh na erdhi urdhri se unë dhe një tjetër kursant nga Tirana jemi “të padëshiruar” në Rusi dhe duhet të ktheheni menjëherë në Shqipëri. Kështu u mbyll karriera 3-vjeçare e pilotit dhe unë dola nga kjo histori, por kur mbërrita në Tiranë nuk dija se ku të shkoja”.

 

Ministria e Ndërtimit

Pas mbërritjes në Tiranë, Petraq Qafëzezi shkon në Ministrinë e Ndërtimit, ku ministër në atë kohë ishte Josif Pashko. Ai tregon se shkoi me uniformën që kishte nga Rusia, nuk kishte madje as rroba civile, ndërkohë që në ministri u prezantua si një student që kishte mbaruar shkollën e mesme teknike dhe universitetin në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Kërkesës së tij për punë, zyrtarët e ministrisë i caktuan atë të degës së kuadrit që mbulonte kurset profesionale, një vend që kërkonte që kandidati të ishte patjetër anëtar partie. Petraqi shton se unë nuk isha komunist, ndërkohë që isha edhe beqar, por në këtë moment më ka pritur shumë mirë shefi i degës së kuadrit në ministri Qamil Gavoçi, të cilin e thërrisnin ndryshe “Axha”. Ai më dha edhe pagën paradhënie, me të cilën bleva disa rroba, por pas disa kohësh kur erdhi një kontroll nga Komiteti Qendror, për mua thanë se duhet të shkoja në detyrë tjetër, meqë nuk isha komunist. Kështu zgjodha drejtorinë e arkitekturës brenda ministrisë duke u kualifikuar për objektet social-kulturore. Në këtë kohë u regjistrova edhe në Filialin e natës të degës së Inxhinierisë që ishte në Durrës. Në vitin 1966 u hodh për herë të parë ideja e qarkullimit të kuadrove. Fillimisht shefi i kuadrit më mbrojti për të mos ikur nga Tirana, por kur nisi edhe qarkullimi i kuadrove familjarë, nuk kishte më shpresa për mua. Ka qenë një situatë mjaft e vështirë, të gjithë rrinim si në ankth. Thirrej dikush dhe mbanim vesh, çfarë i tha, kush iku, kush e ka radhën etj. Të gjithë pothuajse po e linim Tiranën dhe pas disa ditësh erdhi radha ime. Më thanë se do shkosh në Korçë, por unë ua ktheva: Po shkova atje, humba, jam rritur jetim atje dhe nuk kam njeri. Më pas u diskutua që të shkoj në Elbasan, madje “Axha” (shefi i kuadrit) e mori në telefon drejtorin e NSHN-së atje dhe i tha se “po të dërgoj dikë që duhet ta mbash si djalin tim”. Në Elbasan duhet të shkonim katër kuadro nga Tirana. Për fat nuk do të shkoja në Elbasan, por në Durrës. Kryetari i komitetit ekzekutiv në Durrës, Sali Verdha, kishte kërkuar disa kuadro që duheshin në zyrën e projektimit që ishte në këtë qytet dhe që varej nga ministria e Ndërtimit. Sapo u mor vesh kjo, Qamil Gavoçi më dërgoi mua. Një ushtarak e kishte liruar vendin dhe aty u futa unë. Këtu u krijua bërthama e projektimit, bashkë edhe me tre vetë të tjerë që erdhën nga Tirana. Fillova punë si projektues dhe arritëm që të bëjmë projektet e rreth 40 objekteve të ndryshme  në qytetin e Durrësit. Bashkë me Robert Seminin dhe Sokrat Moskon bëmë projektin e pallatit të sportit, transformimin e xhamisë që u kthye në pallat kulture, kinoteatrin dhe shumë objekte me karakter social-kulturor, banesa etj. Meqë në Durrës kishte disa ndërmarrje ndërtimi, u hodh ideja për hapjen e filialit të ndërtimit, gjë që u miratua nga strukturat e shtetit. U regjistruan shumë studentë dhe vitin e parë dolën 20 të tillë. Diplomën e mbrojta me një punë për planin rregullues të Sukthit me të gjitha përmasat për zbatimin e tij.

 

Nga projektues në inxhinier  serash

Telashet që nisën me dënimin e kunatit për gjoja hedhjen në erë të Kombinatit të Tekstileve në Berat bënë që tre javë pas nisjes së punës në Zyrën e Urbanistikës në Durrës, të niste një tjetër transferim. Këtë radhë thashë se nuk jam kuadër, por thjesht projektues, por urdhri ishte urdhër, kështu kishte vendosur partia. Transferimi i radhës ishte ndërmarrja e serave në Shkozet, gjithmonë në byronë e projektimit, ku drejtor ishte Gaqo Ligori. Aty më çuan në një sallë të madhe ku bëheshin projektet e serave dhe aty sistemi i punës ishte 6-orësh. Për 2-3 vjet kam punuar pa lëvizur aty, derisa doli një tjetër vendim i Komitetit Qendror për emrat që hynin në trungun familjar. Përsëri ishte një telash i ri, burgosja e kunatit sillte probleme, pavarësisht se ai ishte një i burgosur i pafajshëm dhe vuante “dënimin” në Spaç. Pas ndërmarrjes së serave më thanë se “vihesh në dispozicion”, meqë plani i realizimit të projekteve shënoi rënie. Kishte dy oferta, njëra në ndërmarrjen e ndërtimit të porteve dhe tjetra, si përgjegjës i kontrollit të investimeve në bankë. Rrethanat e sollën që të shkoj në bankë, sepse një inxhinier që ishte aty e la vendin e punës për shkak se vëllai i tij ra në burg. Nga ana tjetër njohja që kisha krijuar deri tani në këtë punë si projektues bëri që të shpëtoj edhe gruan nga pushimi nga puna. Bashkëshortja ime ishte në atë kohë mësuese fiskulture, por megjithë punën e saj, ajo lihej në hije dhe nuk evidentohej për asgjë. Ishte edhe koha kur shumë njerëz, militantë dhe “komunistë të thekur” fusnin hundët në çdo gjë. Kanë qenë dy motra, mesa më kujtohet me mbiemrin Bushi, që shkonin përditë në zyrën e kuadrit dhe kërkonin llogari: Përse e mbani atë në punë, ajo e ka vëllain në burg! Përsëri rrethanat qenë në favorin tim që bënë që ta hiqja qafe belanë që na gjeti me motrat beqare. Në Durrës zhvillohet një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve  dhe aty vjen Anastas Kondo, anëtar i Komitetit Qendror. Unë njihesha me atë dhe pas mbledhjes ai më kapi për krahu për të shkuar për kafe. Duke ikur drejt kafenesë, përballë vinin motrat Bushi, por ato nuk po i besonin syve kur më panë mua me anëtarin e Komitetit Qendror. Pas kësaj, sulmet në zyrën e kuadrit u ndërprenë. Kështu fillova punë në bankë, por pa më thënë se “njolla” në biografi ishte hequr. Edhe aty puna ishte me një stres të jashtëzakonshëm, sidomos kur thuhej: Kemi mbledhje! Mendja më shkonte deri tek arrestimi në sallë, sepse kishte ndodhur shpesh kjo gjë. Dyshonim për gjithçka, vetëm kur thuhej “nuk jemi mirë me disiplinën”, qetësoheshim.

 

Rruga drejt artit

Petraq Qafëzezi kujton se ka nisur të shkruajë poezi që në shkollën e mesme, duke i botuar krijimet e tij kryesisht tek “Tribuna letrare” dhe tek gazeta “Drita”. Janë mbi 50 poezi të botuara në këtë periudhë, por pa botuar vëllime poetike. Krahas poezive, Petraqi është edhe autor i rreth 40 këngëve që janë interpretuar nga Festivali i parë deri në të njëmbëdhjetin në RTVSH, si dhe pjesëmarrës në të gjithë festivalet e këngës në Durrës. Në shumë raste ka bashkëpunuar me kompozitorin Çesk Zadeja, ndërsa në Durrës me Shaqir Kodrën. Më pas, në vitin 1972, botohet romani i parë, “Bonjakët”, i cili është një roman autobiografik. Petraqi u rrit në shtëpinë e fëmijës nga mosha 3 deri ne 13 vjeç. Është ky roman nga i cili është marrë edhe skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, me regji të Dhimitër Anagnostit. Shumë shpejt libri arriti të botohej 3 herë, ndërkohë që është përkthyer edhe në greqisht. Ai ka fituar çmimin  e parë në konkursin kombëtar të zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve pas botimit të tij. Libra të tjerë të Petraq Qafëzezit janë “Moshatarët” në vitin 1974 dhe “Rrugë e fluturimeve”.

 

Skenari i filmit, sulmi nga zyrtarët e paaftë

Zanafilla për përzgjedhjen e romanit “Bonjakët” që ai të ekranizohej ka nisur pas një sugjerimi që Vath Koreshi i ka bërë Dhimitër Anagnostit. Ishte koha kur Dhimitër Anagnosti po kërkonte një skenar të ri për filmin e tij dhe Koreshi i sugjeroi romanin “Bonjakët”. Ai e lexoi dhe shprehu interesim për të, por skenari për filmin do të punohej nga e para. Petraqi tregon se i gjithë xhirimi i filmit është bërë pa u shfaqur asnjë fragment, vetëm Dhimitri, unë dhe piktori i dinim xhirimet e tij. Gjithçka u mbajt e fshehtë. Gjithsesi filmi sapo kishte mbaruar dhe nisi të flitej se është bërë një film shumë i mirë, etj. por do të ishte komisioni në Kinostudio që do të vendoste për fatin e tij dhe sidomos Partia. Kështu në sallën komplet bosh, në një qetësi absolute filmi u pa. Në mbarim të tij na përqafuan të gjithë anëtarët e komisionit në kinostudio. Pa mbaruar entuziazmi ynë, na thanë se në orën 20.00 krijuesit duhet të jenë përsëri aty se filmin do ta shohë partia. Erdhën ata, përsëri salla bosh, me vetëm 4-5 vetë që e ndiqnin pa reaguar fare. Në fund nuk thanë, as na pëlqeu, as nuk na pëlqeu, por vetëm: Shkoni tek zyra e drejtorit! Aty nisën pyetjet absurde, si: Ç’është ky titull more, Lulëkuqet mbi mure. Ne shpjegonim se është gjetur ky titull si simbol i kapërcimit të robërisë etj. Më pas vinte pyetja tjetër: Po ky kujdestar frikacak, çfarë do të thoni me këtë…, ose pyetja tjetër: Po ata zemërgjerët që merrnin jetimët për dreka e darka, çfarë janë këto e të tjera gjëra koti që nuk dije si t’u përgjigjeshe. Në një moment ndërhyri Dhimitri dhe tha se “këto nuk janë të sajuara, sepse vetë Petraqi është rritur në shtëpinë e fëmijës”. Me një fjalë na telendisën dhe dushi që na dhanë do të pasohej me një gjendje ankthi për disa ditë me radhë. Megjithatë “Lulëkuqet mbi mure” u kalua si film. Nga kjo situatë Dhimitri thuajse u ngujua në shtëpi, nuk dilte fare. Unë isha në hall për veten, kisha një gjendje ankthi dhe pasigurie. Në këtë kohë meqë ishte fundi i vitit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve ishte mbrapa me veprat e 5-vjeçarit, më caktuan edhe mua që të shkoja për ndihmë. Në atë kohë aty ishte Klement Kolaneci dhe vajza e Enver Hoxhës, Pranvera. Pas disa ditësh, një mëngjes Klementi vjen duke qeshur dhe më përqafon duke më thënë: Na kënaqe me filmin! Fillimisht nuk e kuptova, por pas disa orësh shkova e takova Klemin dhe i thashë: Të lutem, unë kam blerë një gjel për Vitin e Ri, më thuaj, ta ha i qetë, apo jo? Klemi më tha: Pa merak, ha edhe dy po të kesh mundësi! Pas kësaj shkova me vrap tek shtëpia e Dhimitrit, trokita tek dera disa herë, ai përgjigjej me frikë nga brenda: Kush është? Unë ia ktheva, dil jashtë se kam marrë lajme të mira. Kështu dolëm të dy dhe pa hyrë mirë tek oborri i Lidhjes të gjithë që na panë na uruan për filmin, madje edhe njerëz që nuk e prisnim. Filmi pasi u shfaq për publikun mori çmimin e parë si skenar dhe regji. 

 

Fati i filmit në dorë të Nexhmijes

Thashethemet që nisën për filmin “Lulëkuqet mbi mure” bënë që për të të interesohej dhe familja Hoxha. Filmi ishte shfaqur një mbrëmje enkas për familjen e diktatorit dhe mësohet se ai ishte pëlqyer shumë, sidomos nga Nexhmije Hoxha. megjithëse filmi evokon midis të tjerash edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend, përsëri censura mund të kapej në çdo gjë dhe mund të bëhej që filmi të mos shfaqej kurrë. Vetë Petraqi thotë se elementi që përdoret në film ku banorët e qytetit ku ndodhej jetimorja merrnin herë pas here fëmijë jetimë për dreka ose darka, ka një të vërtetë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën që ai ishte vetë fëmijë në jetimore, por qëllimi ishte se të nesërmen në gazeta do të botoheshin emrat e të gjitha familjeve që kishin “bërë sevap” duke iu dhënë një vakt ushqim fëmijëve jetimë.

 

Ankthi për librin “Rruga e fluturimeve”

Romani “Rruga e fluturimeve” ka si subjekt përpjekjet e pilotëve të parë shqiptarë për të arritur në nivelin që kishin flotat ajrore të vendeve fqinje. Megjithëse libri ishte mbaruar, Petraqi kujton se ai nuk mund të botohej pa pasur recensionin nga ministria e Mbrojtjes. Në atë kohë shef i shtabit ishte Sotir Majko. Ai më thirri dhe më thotë: “Dy-tre kopje ua dërgova pilotëve në një regjiment!” Meqë prisja të më kthenin një përgjigje dhe kjo u vonua, unë e mora në telefon shefin e shtabit pas disa ditësh. Nga ana tjetër e telefonit më erdhi një zë i mekur dhe menjëherë kuptova se libri do të kishte probleme. U shqetësova shumë dhe pasi u konsultova me një shok vendosa të shkoj në Tiranë. Duke udhëtuar drejt Tiranë, copa-copa, se nuk kishte as tren, në Vorë mora vesh rastësisht se atë ditë kishte ndodhur një aksident tragjik, kishin vdekur dy pilotë në stërvitje. Kështu e kuptova se zëri i mekur i shefit të shtabit vinte nga ngjarja e rëndë, jo nga libri im.

 

 Akuza e rreme për kunatin dhe dënimi me 20 vjet burg

Në mesin e viteve ’70, në kohën kur Petraq Qafëzezi punonte në zyrën e urbanistikës në Durrës, një telefonatë e çuditshme bëhet nga Berati, nga ku është bashkëshortja e tij i thotë se kunati i tij ishte arrestuar për pjesëmarrje në një grup armiqësor. Petraqi tregon se kjo gjë na la të shokuar të gjithë, ndërsa vëllai i gruas së tij nuk mund të ishte kurrsesi pjesë e një grupi të tillë. Akuza për të ishte se në bashkëpunim me djalin e Teme Sejkos dhe një tjetër, kanë pasur si qëllim që të hedhin në erë kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat. Nga një thashethem i kotë që doli nga një vajzë, kunati do ta pësonte më vonë, megjithëse në fillim gjithçka nisi si shaka. Gjyqi avancoi dhe vendimi jepet për vdekje me pushkatim për djalin e ish gjeneralit të flotës, 25 vjet burg për personin e dytë dhe 20 vjet për kunatin e Petraqit. Si njeri pa përkrahje, ai u dënua kot, megjithëse i biri i Teme Sejkos pati deklaruar në gjyq se “ky nuk ka asnjë lidhje dhe nuk e njoh fare”. Kjo gjë, krahas dënimit të padrejtë për një njeri të pafajshëm, bëri që Petraq Qafëzezi të detyrohej të deklaronte me anë të një formulari shtesë ngjarjen e re me kunatin e tij, e cila do të vazhdonte për shumë vite për të sjellë pengesë si “njollë në biografi”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/