6 prill 2014 – Pak ditë më parë u fol për një ftesë dërguar Besart Berishës për të qenë pjesë e përfaqësueses kuqezi në eliminatoret e Europianit, Euro 2016 dhe nga ajo që u mësua, lojtari kërkoi të paktën 10 ditë kohë për të dhënë një përgjigje. Por tashmë duket se futbollisti ka vendosur të rikthehet me përfaqësuesen kuqezi, të paktën sipas asaj që bëjnë të ditura mediat kosovare, sipas të cilave, Berisha ka vendosur të luajë sërish me Shqipërinë duke kapërcyer dhe kilometrat që e ndajnë Australinë me vendin tonë. Praktikisht, me Berishën është planifikuar të veprohet sipas precedentit “Salihi”, në periudhë kur ky i fundit aktivizohej në Kinë, pra me shumë gjasa Berisha do të grumbullohet vetëm për ndeshjet zyrtare. Berisha me Shqipërinë ka luajtur deri më 14 Tetor 2009 duke veshur fanellën kuqezi për 17 ndeshje në total, gjatë të cilave ka realizuar dhe një gol në një miqësore ndaj Anglisë B, të luajtur në vitin 2007.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





