TIRANË, 13 janar 2014 – Ben Blushi ka një qasje krejt të ndryshme nga ajo e kryeministrit Rama për refuzimin e statusit kandidat të Shqipërisë nga Bashkimi Europian. 

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, deputeti i mazhorancës thotë se nuk ishte faji i ekstremistëve europianë, madje sipas tij është jorealist një pretendim i tillë. Sipas Blushit, arsyet duhen kërkuar te pesimizmi i europianëve për zgjerimin dhe te fakti që Shqipëria mbetet ende një vend i pareformuar. 

“Shqipëria fatkeqësisht nuk e mori statusin e vendit kandidat, çka nuk ishte një gjë e papritur jo vetëm duke njohur Europën e ditëve tona, por mbi të gjitha duke njohur Shqipërinë. 

Është e vërtetë që në Europë ka një hezitim të madh sa i takon zgjerimit. Europa nuk po kalon ditët e veta më të mira. Ndryshimi i balancave politike në botë, gjermanocentrizmi i theksuar i Bashkimit Europian, kriza financiare dhe pasiguria e tregjeve kanë ndryshuar Europën gjatë viteve të fundit. Pesimizmi është tipari kryesor i europianëve sot, pavarësisht ku jetojnë ata. Europa nuk është më një kontinent entuziast. Ka shumë papunësi, ka rënie të nivelit të shkollave të veta, ka dobësim të partive tradicionale politike, ka fragmentarizmin dhe pamundësi për qeverisje të forta dhe plane afatgjata zhvillimi. 

Tani që flasim suksesi i zgjerimit e ka konsumuar efektin e vet mbi tregjet dhe sidomos mbi ekonominë. Europa ka më pak arsye të zgjerohet shpejt duke marrë përsipër ekonomitë e paqëndrueshme dhe defektet e vendeve përreth, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Sikur Europa sot ta kishte në dorë, ndoshta nuk do të përfshinte Greqinë në Bashkimin Europian, vendim i cili me shumë sesa ekonomik rezultoi të ishte politik. Këto arsye sot kanë rënë, çka ndikon edhe mbi fatin e Shqipërisë, e cila nuk është gati të hyjë në Europë. Për këdo që njeh Shqipërinë, refuzimi nuk ishte dhe nuk do të jetë habi edhe në të ardhmen. 

Shqipëria nuk ka kryer reformat e duhura në 20 vitet e fundit. Në përgjithësi ajo perceptohet si një vend ku krimi dhe korrupsioni janë aleatë dhe ushqim i klasës politike pa dallim. Ky është perceptimi i përgjithshëm. Prandaj, besoj se në vend që të fajësojmë Europën duhet ta kthejmë Shqipërinë në një vend të gatshëm për t’u anëtarësuar. Sado që gjuha e disa grupeve anti-europiane brenda Bashkimit Europian është e hidhur dhe jo gjithmonë e merituar, nuk janë ata fajtorë për Shqipërinë që kemi…”. 

Në intervistën e tij, Blushi thotë se qeveria “Rama” duhet të mos shtyjë reformat dhe të mos i ngatërrojë ato me reformat. 

Ndërsa, si një prej zërave më influentë në PS, Blushi thumbon Ramën për zgjedhjet në PS dhe sidomos për deklaratën në “Opinion” se kryetari do rikonfirmohet nga forumet, duke anashkaluar statutin që parashikon zgjedhjen e kryetarit me “një anëtar, një votë” njëherë në 4 vjet.