Shqipëria hyn një muaj më vonë. “Dyrrah”-u përkthen letrën e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit më 8 shkurt 1949 ku i lutet ta pranojnë në organizmin ekonomik

·        Pjesë të panjohura nga “Ditari politik” i diktatorit të Tiranës, ku dëshmohet se në vitet 1962-1963 u përgatit përjashtimi i vendit të vogël ballkanik nga KNER-i  

DURRËS, 5 janar 2014 – Pikërisht, në kryeqytetin sovjetik, në Moskë, 65 vjet më parë, më 5 janar 1949, krijohet një organizëm, një lloj tregu i përbashkët komunist, i quajtur Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER), i cili ekzistoi për 49 vjet dhe u shkri më 1991 pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore. Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER) u krijua sipas vendimit të mbledhjes së përfaqësuesve të Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, BRSS dhe Çekosllovakisë, të thirrur në Moskë më 5-8 janar 1949. Shqipëria hyri në KNER në shkurt 1949 dhe vazhdoi të merrte pjesë në të deri në vitin 1960. Integrimi i Shqipërisë në strukturat e bllokut komunist u krye qysh në kohën e Stalinit, menjëherë pas shkëputjes nga Jugosllavia. Shqipëria, në shkurt të vitit 1949, u pranua anëtare e KNER-it, një organizatë ekonomike e drejtuar nga Moska. Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke, KNER (1949–1991), ishte një organizatë ekonomike e shteteve komuniste dhe një lloj blloku lindor ekuivalent me – por më pak përfshirës gjeografikisht – Komunitetin Ekonomik Evropian. KNER-i ishte përgjigja e bllokut lindor ndaj formimit e OEEC-it (Organizata Evropiane e Bashkëpunimit Ekonomik). Faktorë parësorë në formimin e KNER-it duket se kanë qenë dëshira e Stalinit për të shtrirë dominimin sovjetik në shtetet e Evropës Qendrore dhe për të qetësuar disa shtete që kishin shprehur interes për Planin Marshall, si Çekosllovakia, Hungaria dhe Polonia. Ndërkaq Enver Hoxha, edhe pse kërkoi të futet në KNER (shih më poshtë letrën e shefit të Tiranës dërguar Kremlinit më 8 shkurt 1949, një muaj pas formimit të KNER-it, por e pabotuar në “Veprat”!), ishte i pakënaqur me ndihmën që i jepej vendit të tij (shih më hollësisht librin e tij “Hrushovianët). Ndërkohë në “Ditarin politik”, në vitet 1961-1962 jepen elemente të përjashtimit të Shqipërisë nga KNER-i.

Dokumente /Kërkesë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë E. Hoxha drejtuar Qeverisë së BRSS për pranimin e Shqipërisë në Këshillin ekonomik të ndihmës reciproke

Tiranë

Më 8 shkurt 1949

Sekret

Në emër të Republikës Popullore të Shqipërisë, kam nderin t’i komunikoj Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike sa më poshtë:

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë mësoi me gëzim të madh mbi krijimin e Këshillit ekonomik të ndihmës reciproke, të përbërë nga përfaqësues të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të demokracisë popullore, pjesëmarrëse në konferencën ekonomike, që u mbajt në janar të këtij viti në Moskë.

Republika Popullore e Shqipërisë, që ka hyrë me vendosmëri në kampin e fuqishëm antiimperialist dhe besnike në luftën për një botë të qëndrueshme demokratike kundër imperialistëve agresorë, të cilët synojnë me anë të planeve diskriminuese dhe trysnisë ekonomike të skllavërojnë vendet e vogla, sheh në Këshillin ekonomik të ndihmës reciproke një faktor të rëndësishëm për forcimin e kampit të paqes dhe mirëqenies së njerëzimit, si dhe një mbështetje të fuqishme në përpjekjet e saj [të Republikës Popullore të Shqipërisë] për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Këshilli ekonomik i ndihmës reciproke, i cili bazohet në respektimin reciprok dhe barazinë e vendeve anëtare dhe që ka ngritur në shkallën më të lartë bashkëpunimin ekonomik midis këtyre vendeve, përfaqëson për Republikën Popullore të Shqipërisë një dëshmi të re të sukseseve të sistemit ekonomik të Bashkimit Sovjetik dhe të demokracive popullor. Ai [KNER-i] është dëshmi e sukseseve, që janë arritur në lëmin e ndërtimit ekonomik, në saje të ndihmës së paçmuar dhe tejet të sinqertë të Bashkimit Sovjetik.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, besnike ndaj parimeve të larta, mb të cilat u krijua Këshilli ekonomik i ndihmës reciproke, dhe që dëshiron të marrë pjesë në një bashkëpunim ekonomik më të gjerë midis Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të demokracisë popullore, ka nderin t’i kërkojë Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike të denjojë të ushtrojë shërbimet e saj të vullnetit të mirë me qëllim lejimin e Shqipërisë si pjesëmarrëse në Këshillin ekonomik të ndihmës reciproke.

Shfrytëzoj këtë rast t’i përsëris Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike sigurimet për nderimin tim tepër të lartë.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë

Gjeneralkolonel (Enver Hoxha)

Përktheu [nga letra Enver Hoxhës në frëngjisht për qeverinë sovjetike]: V. Erofejev

Shënim: Përkthimi nga rusishtja, dhe shënimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut. Marrë nga libri “Faktori sovjetik në Evropën Lindore. Vitet 1944-1953. Në dy vëllime. Dokumente / V. 2. Vitet 1949-1953”. Moskë. ROSSPEN 2002”, dokumenti nr. 7, faqet 34-35. (titulli në origjinal sipas transkriptimit ndërkombëtar: “Sovetskii faktor v Vostochnoy Evrope. 1944-1953 gg. В 2-kh tt. Dokumenty / T. 2. 1949-1953 gg”. Moskva. ROSSPEN 2002).

Nga “Ditari politik” i Enver Hoxhës

E mërkurë, 22 shkurt 1961  

I dhashë udhëzime delegacionit, që do të përfaqësojë vendin tonë në mbledhjen e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke. Ajo do të mbahet në Berlin.

Sigurisht, në këtë mbledhje, çështjet shtrohen sa për formë, se ato, në fakt, zgjidhen jashtë saj. Por ne duhet ta ngremë atje çështjen se sovjetikët dhe çekët nuk duan të rregullojmë kontratat e parashikuara për planin tonë të tretë pesëvjeçar.

E martë, 15 maj 1962

Shokët nga Varshava na informojnë, nga burime të sigurta, se në fund të muajit prill Gomulka [Vladislav (Władysław), 1905-1982, në atë kohë sekretar i parë i partisë së bashkuar punëtore (komuniste) të Polonisë] ka qenë incognito në Moskë dhe ka biseduar me Hrushovin [Nikita, 1894-1971, në atë kohë sekretar i parë i partisë komuniste dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik]. Gomulka i ka shfaqur pakënaqësinë e tij që KNER-i nuk është efektiv, se vendimet që merren, nuk zbatohen dhe njerëzit që përfaqësojnë atje shtetet nuk janë në lartësinë e detyrës që u kërkohet. Prandaj, lidhur me këtë, Gomulka kërkoi që KNER-i të mblidhet dy herë në vit me pjesëmarrjen e sekretarëve të parë të komiteteve qendrore dhe Polonia, Gjermania dhe Çekosllovakia të lejohen të kenë një organizim të veçantë rajonal, po kështu edhe Hungaria, Rumania dhe Bullgaria ta kenë një organizim të tyren. Hrushovi s’ia pranoi këtë të dytën. Së shpejti do të bëhet mbledhja e KNER-it në nivelin e kryeministrave, në mos të sekretarëve të parë të partive. Informohemi se dëshirojnë të na thërresin edhe ne. Qëllimi është i qartë. Ata kërkojnë me ndonjë hap të tillë t’u shpëtojnë kushteve të drejta që u kemi vënë ne, në rast se kanë ndërmend t'i ndreqin marrëdhëniet. Revizionistët nuk do të na e hedhin dot.

Fakt është se revizionistët midis tyre kanë mosmarrëveshje të thella, politike dhe ekonomike dhe Gomulka kërkon t’i ketë duart të lira në kamp dhe të veprojë lirisht me perëndimorët. Polonia ka marrë hua 500 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdon të marrë. Asaj nuk ia blen njeri makineritë që prodhon. Kështu ngjet dhe me Çekosllovakinë dhe me shtetet e tjera revizioniste. Atyre po u ngushtohen tregjet. Kujtuan se ishte lehtë të sulmonin Kinën dhe Shqipërinë.

Revizionistët s’e durojnë dot diktatin e revizionistit Hrushov dhe kërkojnë të çajnë muret e kampit, për ta likuiduar dhe të arrijnë në qëllimet e Titos dhe të amerikanëve. Me nuanca, por të gjithë revizionistët synojnë në të njëjtin drejtim.

E diel 27, maj 1962

Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke na ka dërguar një letër ku thotë se nuk do ta ftojnë Shqipërinë në mbledhjen që do të mbahet më 6 qershor dhe as që do të na dërgojnë materiale, në rast se ne nuk tërheqim letrën që i patëm dërguar për ta njoftuar se, po të mos hiqnin masat diskriminuese, ne nuk do të merrnim pjesë në mbledhje. Fjala nga ana e tyre është që ne “të ulim kokën nën zgjedhën e tyre”, të tërhiqemi dhe t’u japim kështu të drejtën që të thonë se ne i kemi fajet, kurse ata janë të pastër.

Do t’u japim përgjigjen që meritojnë.

E hënë, 28 maj 1962

Kinezët na lajmërojnë se Gomulka dhe Cirankieviç-i [Józef Cyrankiewicz, 1911-1989, në atë kohë Kryeministër i Polonisë] u kanë bërë ftesë Maos dhe Çu En Lait që të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke, që do të mbahet më 6 qershor. Kinezët u janë përgjigjur se nuk do të venë, mbasi nuk janë ftuar shqiptarët. Shumë mirë!

E enjte, 31 maj 1962

Më datën 6 qershor do të mblidhet Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke. Ne deri tani nuk na kanë ftuar dhe, me siguri, nuk do të na ftojnë. Por, megjithatë, mund ta marrim me mend se mbledhja do të shqyrtojë më shumë divergjencat midis vetë revizionistëve. Nikita Hrushovi ka qëllimet e tij, por edhe të tjerët kanë të tyret. Nikita ka tendenca që miqtë e tij t'i mbajë të lidhur pas qerres së vet, të ketë sa më pak detyrime ekonomike ndaj tyre, duke u dhënë kredi për t'i mbajtur të angazhuar dhe në ato drejtime ku ka leverdi t'i furnizojë me materiale e lëndë të parë dhe të forcojë varësinë e ekonomive të tyre. Polakët, çekët, gjermanët, natyrisht, duan të zhvatin sa më shumë lëndë të parë dhe artikuj ushqimorë, të cilët, sidomos këta të fundit, Bashkimi Sovjetik s'ua jep, pse i mungojnë për vete. Këto shtete, bëjnë shumë përpjekje t’i ruajnë tregjet kapitaliste, bile t’i shtojnë. Polonia ka marrë dhe merr kredi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Gjermania Lindore është një spekulant që vazhdimisht lyp. Tash ajo lyp deri edhe nga Adenauer-i [Konrad, 1876-1967, në atë kohë kancelar federal i ish-Gjermanisë Perëndimore].

Në këto kushte, në marrëdhëniet midis revizionistëve, në vend që të shkohet drejt koordinimit të harmonishëm, shkohet drejt thellimit të kontradiktave. Gomulka, pakënaqësinë e tij ndaj Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke, në fakt, e ka shfaqur përpara vetë Hrushovit. Gomulka ka tendenca ta likuidojë krejt këtë.

organ që t'i ketë duart e lira të veprojë si Titoja dhe të afrohet hapët me imperialistët amerikanë. Tash situatat e tregjeve ndërkombëtare po vështirësohen. Tregu i Përbashkët Evropian përgatit prapavijat e NATO-s, domethënë përgatit shtetet perëndimore për luftë të nxehtë dhe njëkohësisht për luftë ekonomike kundër kampit tonë. Tregu i Përbashkët Evropian do të vërë, pra, kufij seriozë dhe nga ana e vendeve socialiste do të bëhet një luftë e çorganizuar në fushën e tregtisë pse Nikita Hrushovi dhe partnerët e tij po u vënë kazmën unitetit dhe veprimeve të përbashkëta. Mjaft vende të demokracisë popullore, që rrojnë duke bërë tregti me Perëndimin si Çekosllovakia dhe që në krye kanë udhëheqës revizionistë, do të lëvizin dhe do të bëjnë vara-vara tregti me parimet. Polakët kanë hyrë me të dyja këmbët në këtë rrugë, tash po përgatitet të hyjë edhe Ulbrihti.

Kërkesat për kredi nga amerikanët i nxit vetë Hrushovi, prandaj ky deri tani s’kishte folur asnjë fjalë kundër Tregut të Përbashkët Evropian. Tash së fundi foli dhe propozoi që të bisedohet në OKB për të krijuar një organizatë të përbashkët ndërkombëtare të tregtisë. Këto janë përralla derisa Tregu i Përbashkët Evropian të forcohet. Hrushovi mund edhe të propozojë që të prishen KNER-i dhe Tregu i Përbashkët Evropian e të tjera histori të kësaj natyre, por edhe po e prishi ose po e dobësoi KNER-in, pjesëtarët e tij për disa gjëra do të varen nga njëri-tjetri, nuk do të marrin autonomi të plotë, koordinimi do të mbetet në letër. Kësaj i thonë shpërbërje, kapitullim. Drejt kësaj rruge po ecin me ndërgjegje këta tradhtarë të marksizëm-leninizmit.

Do të shohim më mirë më vonë se si do të zhvillohen gjërat.

E hënë 4 qershor 1962

Përfunduam letrën që do t’i dërgojmë Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke, i cili na kërcënon duke na thënë se nuk do të na ftojnë në mbledhjen e 6 qershorit, në rast se nuk tërheqim letrën tonë të parë ku protestonim kundër masave diskriminuese ndaj vendit tonë. Ne jo vetëm që nuk e tërheqim atë, po do t'u themi se anëtarët e KNER-it kanë vazhduar të bëjnë veprime akoma më të turpshme ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë.

E mërkurë, 6 qershor 1962

Sot në shtypin tonë u botua “Deklarata e Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë” lidhur me marrëveshjen e arritur midis vendeve pjesëtare të KNER-it për t'u mbledhur më 6 qershor në Moskë “për çështjet e bashkëpunimit ekonomik” midis tyre.

Këtë mbledhje ne e konsiderojmë të paligjshme.

E shtunë, 9 qershor 1962

U botua komunikata e mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve anëtare të KNER-it që u mbajt në Moskë, në cilën ne nuk u ftuam të merrnim pjesë.

Vlorë, e mërkurë, 24 korrik 1963

Sot mblidhen në. Moskë sekretarët e parë dhe kryeministrat e vendeve “socialiste”, anëtare të Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke. Mbledhja i përngjan një shporte karavidhesh me një karavidhe të madhe në mes: Hrushovin. Mosmarrëveshjet midis tyre janë të thella dhe të çdollojta, që nga ato ekonomike e deri tek ato politike. Rumunët janë veçanërisht në shenjë. Këta do të sulmohen nga çdo drejtim. Të shohim deri ku dhe sa do t'u rezistojnë rumunët presioneve, shantazheve dhe frikësimeve. Çdo gjë do të përdoret kundër rumunëve, deri edhe te “zbutja” e përkohshme, siç u bë ndaj Kastro-s [Fidel Castro, lindur më 13 gusht 1926, lider i Kubës komuniste], për ta futur Dezh-in [Gheorghe Gheorghiu-Dej, 1901-1965, në atë kohë sekretar i parë i partisë punëtore dhe kryetar i Këshillit të Shtetit të Rumanisë] në thes. Të shohim rezultatet.

Shënim: Sqarimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut]

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/