DURRËS, 10 dhjetor 2013 – “Dyrrah”-u ka mësuar se kryetari aktual i degës së PD Durrës Igli Cara dhe sekretari Zamir Ramadani kanë qenë në takim me kryetarin e PDSh Lulzim Basha, ku kanë marrë udhëzimet për organizmin dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore për strukturat drejtuese vendore të opozitës. Është një moment delikat.

Çinteresim dhe fatalitet

Fushata është besuar si diçka e shumëpritur nëse do të zhvillohej fill pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në mënyrë që t’i paraprihej zgjedhjes së kryetarit të selisë qendrore. Kjo është arsyeja që në bazën e degës së PD-së bregdetare ka një çinteresim të dukshëm, madje, nuk ka as thashetheme dhe as luftë klanesh. Kohëzgjatja e analizës së humbjes dhe e freskimit të forumeve ka krijuar një efekt të padëshirueshëm, sikurse është indiferenca. Fakti që kandidaturat e dala nga mbledhjet e seksioneve do t’i çohen Tiranës dhe atje do të përzgjidhen dy-tre që do të votohen me një “anëtar, një votë”, ka çuar deri në fatalitet: kushdo që zgjidhet, asgjë të re nuk do të sjellë. Janë ende të freskëta problemet që dolën me listat e votimit për zgjedhjen e pasardhësit të Berishës.

“Kontribuuesit historikë”

Kryetari i ri i selisë blu ka përballë sfidën e riparimit të themelit të shkërmoqur në 23 vjet. Mosbesimi për ringritjen e PD-së lidhet me faktin se ka një largim të shumë prej atyre që Basha i konsideron “kontribuues historikë”. Janë ata që krijuan degën më të madhe të opozitës më 1991 dhe që e shndërruan Durrësin në bastion blu. Por shumë shpejt i shmangën që në qeverisjen e parë. Ishte zhgënjimi i bërthamës, që garantonte fitoret e PD-së. Kanë qenë disa lagje dhe rrugë historikisht besnike të PD-së. Por në vitet 2000 ato e kanë ndëshkuar në zgjedhjet vendore dhe sidomos në vitin 2013. Këta “kontribuues historikë” ose kanë abstenuar, ose u janë bashkuar partive të tjera të djathta. Ata nuk besojnë te ndonjë dorë përbashkuese, që t’i rindezë si në vitin 1991. Madje, acarohen nga pozat “antikomuniste” të Berishës, Bashës dhe liderëve të tjerë në dhjetor 2013. Durrsakëve nuk u pëlqen përligjja për vonesat e fushatës brenda-partiake me atë që i ka penguar Edi Rama, sikurse thotë Lulzim Basha.

Mediokriteti

Por ajo që ka rëndësi është fakti nëse do të analizohet puna e shtabit të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku kryetar nuk ishte z. Cara, por një korçar 41-vjeçar i katapultuar në Durrës, Eduard Halimi. “Ai nuk di nga bien rrugët dhe lagjet”, thonë në PD. A do ta marrë përsipër përgjegjësinë e dështimit në Durrës, ku kuotat e përkrahjes për PD-në kanë rënë në minimumin historik? Veç kësaj, ndryshe nga Igli Cara, i cili,sipas analistit Gjergj Thanasi, “gëzon respekt në shtresa” të caktuara qytetare, Halimi është konsumuar me komisionet qesharake parlamentare. Halimi ka bërë dalje vende e pa vend në media me deklarime mediokre, që nuk i shkojnë për shtat qytetarisë durrsake. E keqja është se në bazën e PD-së nuk kanë konsideratë as për deputetët e tjerë të Durrësit, që pranojnë apo kërkojnë të përdoren nga Basha / Berisha si të ishin “Laura”, ndryshe nga “senatorët” në kryeqytet. Mediokriteti i tyre shkëlqeu në prononcimet për vrasjen në Shkozet. Ata nuk dinë flasin “durrsakshe”. Prandaj sfida për të gjetur një kryetar dege për së mbari për Durrësin është tmerrësisht e vështirë. Por është dhe tmerrësisht e lehtë nëse vë gishtin si Tiranë për gjetur një çirak. Për një vit e gjysmë bëhen zgjedhjet për pushtetin vendor. Me “çirak” nuk thyhet monopoli 14-vjeçar i PS-së në qytet. Dhe analiza e 23 qershorit 2013 fillon me analizën e 8 majit 2011, ku përfaqësuesi i PD-së humbi thellë-shumë thellë.

Në vend të epilogut

Tregohet si legjendë urbane një batutë bllokmeni për durrsakët. Njëherë e një kohë, kur erdhi sekretar i parë i komitetit të PPSH-së në Durrës Muho Asllani, paraardhësi i tij, korçari Rita Marko, thuhet ta ketë këshilluar: “Po punove për durrsakët, ata të bëjnë hero, ndryshe të nxjerrin anekdota!” Ky parashikim doli “profetik”. Fillimisht Muhoja u ngrit në qiell për realizmin e aksioneve për strehimin. Pastaj…

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/