7 vite pas mbylljes për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, Shtëpia Muze e Aleksandër Moisiut, njëherazi Muzeu Etnografik i Durrësit ka hapur dyert mëngjesin e kësaj të enjteje.

Rihapja e godinës 2 katëshe me çardak, që i përket gjysmës së dytë të shekullit XIX-të është një lajm i mirë për qytetin bregdetar, pasi trashëgimisë së pasur kulturore i shtohet një tjetër sit i rëndësishëm historik që mund të vizitohet nga turistët e huaj.

Në katin e parë të godinës janë ekspozuar125 vepra të artistëve italianë dhuruar në shenjë respekti për piktorin e famshëm Ibrahim Kodra, ndërsa në katin e dytë, 2 dhoma i janë dedikuar aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu, i cili ka kaluar disa vite të fëmijërisë aty, ndërsa në dhomat e tjera janë ekspozuar veshje popullore autentike të Shqipërisë së Mesme, ku një pjesë e kostumeve janë më shumë se 150-vjeçare, si dhe objekte të punuara në dru, bakër, alabastër etj nga artizanët e dikurshëm.

Pavarësisht rijetëzimit, një pjesë e veshjeve popullore vijojnë të jenë të pasistemuara brenda kornizave prej xhami, duke rrezikuar dëmtimin e mëtejshëm të tyre.

Çdo objekt dhe çdo veshje e ekspozuar në këtë Muze janë dëshmi autentike e së shkuarës duke plotësuar kështu mozaikun kulturor të shekujve të kaluar.

Pas hapjes, pritet që Muzeu Etnografik të nisë të vizitohet nga turistët e huaj, nxënësit, por edhe vizitorët vendas që duan të mësojnë më shumë për historinë e qytetit të Durrësit.

M.B.