Sali Berishën s’mund ta shpëtojë as dreqi nga humbja epokale. Ky është lajm i mirë për Shqipërinë. Edhe për Kosovën. Një erë e re po fryn.

Nga Imer Mushkolaj

A ju kujtohet ajo përralla me gomarin dhe me ujkun? Gomarin po e shqyente ujku, ndërkaq ky po thoshte: ishalla jam ëndërr!

Kështu disi po sillen njerëzit e Partisë Demokratike të Sali Berishës, teksa po vështrojnë të tmerruar se si harta e fitores së socialistëve po zgjerohet rrufeshëm. Po shohin se si shqiptarët, pas tetë vjetësh Berishë, kanë zgjedhur me të madhe ndryshimin – kanë zgjedhur Rilindjen.

Për mua nuk është fare çudi, as befasi pse Edi Rama me PS’në dhe koalicioni i majtë vazhdojnë të triumfojnë bindshëm, madje edhe në bastione të Berishës. Thjesht, nuk kishte si të jetë ndryshe pas gjithë atyre që ndodhën gjatë dy mandateve të qeverisjes blu.

Dhe, nuk është ky debakël thjesht i PD’së dhe Berishës. Jo, është debakël i një mentaliteti qeverisës, është fundi i një tranzicioni të gjatë, tepër të gjatë të Shqipërisë.

I Shqipërisë që mbase kësaj here do të arrijë t’i realizojë një palë zgjedhje deri në fund ashtu si duhet, i Shqipërisë së mbajtur peng nga Berisha – Shqipërisë që po ndahet njëherë e mirë nga i fundmi komunist i konvertuar në demokrat i Europës.

Ky është verdikti i shqiptarëve dhe duhet respektuar – pavarësisht se mund të gjenden plot të atillë që nuk përtojnë t’iu mbajnë ligjërata bashkëkombasve andej kufirit se paskan votuar gabim dhe se Shqipëria po merrka fund pa Sali Berishën.

Ky është verdikti i atyre që mendojnë të kundërtën – se Shqipëria po merrte fund me Sali Berishën në pushtet.

Me Sali Berishën në pushtetin e uzurpuar e klientelist, jodemokratik e autoritar.

Me Sali Berishën e embargos, ‘97’tës, Gërdecit, 21 Janarit.

Me Sali Berishën e pasaportave të munguara për kosovarët.

Me Sali Berishën e përrallave për bashkimin kombëtar.

Me Sali Berishën manipulues e të sëmurë për pushtet…

Humbja e Sali Berishës është lajm i mirë për Shqipërinë. Edhe për Kosovën.

Shqipëria përfundimisht do të ndahet nga një e kaluar konfiktuoze, e kaluar saliberishiste që identifikohej me emrin e njeriut, i cili ishte në gjendje të bëjë çmos, madje edhe të vjedhë, djegë e të vrasë, vetëm që të qëndrojë në pushtet.

Kosovarët, ndërkaq, më në fund duhet të mësohen se Shqipëria bën edhe pa Berishën, se Shqipëria nuk është e Berishës por e shqiptarëve dhe se duhet ta respektojnë vullnetin e shumicës atje – qoftë edhe me çmimin e të bërit më racionalë, më normalë karshi ndonjë lideri aspak të tillë.

Unë besoj fort në atë që e shprehu një koleg imi nga Tirana – se e majta ka shansin të fillojë deberishizimin e shoqërisë, duke i parë mbështetësit e Partisë Demokratike jo si fajtorë, por si njerëz që duhen çliruar nga e kaluara e shefit të tyre.

I mbetet Edi Ramës dhe koalicionit rreth tij të tregojë se besimi i dhënë nga shqiptarët do të konvertohet në një fillim të ri, në një Shqipëri që më në fund do të marrë rrugë drejt zhvillimit dhe integrimit të vërtetë.

***

Kur Fatos Nano pati vizituar Kosovën, pak vjet pas luftës, një grup adhuruesish të Sali Berishës e pritën atë me protesta. Vite më pas, kur Nano e Berisha u bënë partnerë në “misionin fisnik” për rrëzimin e Edi Ramës, këta tipa heshtën. Harruan “tradhtitë” e Nanos dhe për ta, më e rëndësishmja ishte që Berisha, qoftë edhe me dreqin të bëhej, vetëm të mund ta shkatërronte Ramën.

Këto ditë, këta tipa s’po mund të besojnë se liderit të tyre të dashur i ka ardhur fundi dhe s’ka kush që e shpëton.

S’po mund të binden se Shqipëria do të qeveriset nga “greku” Rama dhe këta s’do të kenë më mundësi të bien në trans nga deliri pseudopatriotik e folklorik i Berishës.

Besoj vështirë do ta ketë edhe ndonjë karikaturë prej deputeti i cili, sikur t’i kishte kryer të gjitha punët në Kosovë, sipas besimit të dhënë nga qytetarët, po krekosej e merrte poza teksa hidhte fletën në kutinë e votimit – natyrisht për liderin e dashur Sali.

Po të ishte në pushtet ndonjë parti si LDK’ja, ta zëmë, mbase do t’i vinte ndërmend edhe ndonjë ide e çmendur që të shpallte edhe ditë zie për humbjen e Berishës. Thua se ai paskësh bërë punë të mëdha për Kosovën, aq sa të pikëllonte të gjithë kosovarët – kosovarët e çuditshëm që për arsye aspak racionale e fort të palogjikshme ishin në gjendje të bëhen kurbanë të Berishës, në mënyrë që ai t’i realizojë qëllimet e tij. Kosovarët, shumica e të cilëve ende mendojnë se ata që kanë votuar për të majtën janë grekë, ndërkaq ata që kanë votuar për të djathtën janë patriotë. Shumica e të cilëve luten që kjo të jetë një ëndërr e keqe. Si gomari i ëndrrës me ujkun.

***

“Në Shqipëri blu ka mbetur vetëm deti”, ishte një status në Facebook. I tillë mund të vazhdojë të mbetet edhe për shumë kohë – me kosovarët berishistë në të dhe me Berishën kampion në det, por humbës në tokë.

/Nga shtypi kosovar/