Nga Leonard Veizi

Flet veterani i Luftës, Sherbet Karuli, ish-zv.komandanti i Mbrojtjes Bregdetare: Rezistenca e 7 Prillit ‘39. Si u zgjerua Lëvizja me krijimin e Frontit Antifashist. Në shtator ‘43 italianët nga pushtues u bashkuan me Ushtrinë NÇL 

Agresioni fashist ndaj Shqipërisë, nisi në një atmosferë të rënduar politike e ushtarake, pikërisht kur boshti Romë-Berlin-Tokio po shkonte me shpejtësi drejt Luftës së II Botërore. Në këtë situatë, mëngjesin e 7 Prillit 1939, ushtria “gloriose” e Benito Musilonit u gdhi në brigjet e Durrësit… …Sherbet Karuli, një ushtarak i vjetër e me detyra të rëndësishme në Korpusin e Mbrojtjes Bregdetare, por dhe luftëtar në njësitin luftarak të Pezës drejtuar nga Babë Myslymi, kujton jo vetëm zbarkimin në Durrës të ushtarëve italiane, por dhe bashkimin e tyre 4 vite më, me partizanët shqiptarë, për të luftuar së bashku kundër gjermanëve të Rajhut III. 

Vazhdoni ta kujtoni 7 prillin 1939? 

Ky është i 74 vit rresht që e kujtoj me trishtim, sepse është një ditë e zezë në historinë e tij kombëtare. Në këtë ditë Italia fashiste e Musolinit sulmoi pabesisht Shqipërinë. Kjo, ndodhi pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të mëparshme, nga ana e mbretit Zog. 

Cila ishte atmosfera para pushtimit ushtarak të vendit? 

Ditët para agresionit, u karakterizuan nga protesta masive rinore studentore, punëtore, fshatarë etj. Në Tiranë, Korçë, Vlorë etj. etj. Por në 7 Prill 1939, ushtria fashiste italiane e komanduar nga gjenerali Guxoni, ndërmori sulmin e armatosur me rreth 40 mijë forca ushtarake të armatosura deri në dhëmbë, për t’u ndeshur me një popull të pa armatosur. 

Si u organizua rezistenca? 

Ushtarakët madhorë ia mbathën me mbretin. Ndërsa rezistenca trimërore u bë vullnetare, nga një grushti ushtarakësh me në krye Heroin Mujo Ulqinaku. Agresorët fashist, u pritën me armë nga luftëtarë vullnetarë edhe në Portin e Sarandës, Vlorës, Shëngjinit e në Shkodër etj. Ky marshim pushtuesish u zmbraps tre herë nga Mujo Ulqinaku e vullnetarët e tij. Gjatë rezistencës u vranë 12 luftëtarë shqiptare dhe disa dhjetëra ushtarë italianë. Megjithatë trupat fashiste, me bersalierët në krye, hynë në Tiranë më 8 Prill 1939. 

Si do të vazhdonte më pas rezistenca antifashiste? 

Pushtimin fashist vazhdoi ta kundërshtonte rinia punëtore, fshatare e shkollore, me demonstrata në disa qytete. Ngjarje të tilla u shtuan në qershor 1941, kur boshti nazi-fashist sulmoi BS. Çështjet e një organizimi, me të fortë të rezistencës popullore, u shtruan edhe u gjykuan edhe në Mbledhjen e Grupeve Komuniste, në Nëntorin e vitit 1941. Ajo u bë, në krye të Frontit, organizatorja e Lëvizjes Antifashiste dhe i kryengritjes së armatosur, ku një meritë të veçantë, ka Enver Hoxha. 

Po njësitet e armatosura kur do të fillonin të formoheshin? 

Më 5 qershor 1940 Myslym Peza formoi çetën e parë patriotike antifashiste, e cila ishte e para jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Europën. Në fillim të vitit ‘41, kryesore, u konsiderua hedhja e bazave për kryengritjen e armatosur dhe krijimin e Ushtrisë NÇ. U krijuan Njësitet e para Guerile, në qytete e disa fshatra dhe menjëherë pas kësaj, edhe disa çeta të armatosura, që u hodhën në aksione. U ngritën çeta të tjera e pastaj u kryen disa sulme të armatosura: në Pezë, Skrapar, Mokër, Shkodër, Devoll, Dibër, Mat etj. Çetat gradualisht u rritën në numër. Procesi i kalimit në Kryengritje të Përgjithshme të Armatosur u diskutua në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm NÇ me 10 Korrik 1943 në Labinot, ku u zgjodh Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë me komandant shtabi Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën. Në Korrikun e vitit 1943, vepronin 22 batalione e shumë çeta partizane. Në këtë kohë u formua Brigada e Parë “S” me komandant, Mehmet Shehun e komisar Tuk Jakovën. 

Cilat do të ishin sukseset më të mëdha të ushtrisë së re?

 Me shumë sukses, u zhvillua sulmi i forcave partizane të Matit për Çlirimin e Burrelit etj. Por u shpartallua sulmin i 14 mijë trupave armike kundër Pezës Heroike. Më pas, armiku u hodh kundër forcave operacionale në zonën e Korçës e atë të Skraparit, ku iu shkaktuan dëme të konsiderueshme. Luftime të suksesshme u zhvilluan po kështu nga Batalioni partizan “Fuat Babani” i Devollit nga Batalioni partizan “Hakmarrja” e Kolonjës, Batalioni partizan i Dibrës, i komanduar nga Haxhi Lleshi, ai i Martaneshit i komanduar nga Baba Faja etj.

Po pas kapitullimit të Ushtrisë Italiane si do të veprohej? 

Pas kapitullimit, shumë ushtarë antifashiste italianë, u pranuan në njësitë e UNÇSH, për të luftuar kundër pushtuesit nazist, që zëvendësoi pushtimin fashist, në shtator ‘43. Ata krijuan repartet e tyre të mirëfillta me vullnetarë italianë si: Batalioni “Antonio Gramshi” pranë Brigadës I, Batalioni “Mateotti”, pranë Brigadës V, Batalioni “Carlo Palumbo” pranë Grupit Operativ Vlorë-Gjirokastër. Dëmet në 5 vitet e luftës 

Shqipëria u rreshtua në koalicionin e madh antifashist. Por numërohet si një ndër vendet e para, për sa i përket humbjeve në njerëz e materiale. Ajo i dha luftës 28 mijë Dëshmorë, kur popullsia e saj në atë kohë, numëronte 1 milion banorë. E çoi luftën deri në kryengritje të përgjithshme të armatosur, me një ushtri prej 70 mijë partizanësh, të inkuadruar në 24 Brigada, 8 Divizione, 3 Korparmata, me një Shtab të Përgjithshëm e më pas me një Komandë të Përgjithshme të Ushtrisë me Komandë unike. Gjatë Luftës ANÇL, populli ynë u gjymtua ne rreth 7.3 % të popullsisë; iu asgjësuan 1/3 e gjësë së gjallë dhe iu shkatërruan ura, miniera, porte detare, rrugë etj. Dëme të konsiderueshme përfshi grabitjen e arit të rezervës shtetërore. Mijëra pësuan masakra gjakatare, mijëra të tjerë u burgosën, brenda e jashtë vendit në kampet e përqendrimit në Gjermani, Austri, Poloni etj., si në Bukuenvald, Dakau, Austvic, etj, në një numër të përgjithshëm prej 11.200 vetësh, nga të cilët lanë kockat 1842 shqiptarë antifashistë. Në periudhën 7 prill 1939 – 29 Nëntor 1944, u bënë 118.000 arrestime, nga të cilët 18.000 u torturuan mizorisht dhe një pjesë e madhe prej tyre u asgjësuan, 39 prej të cilëve u varën në litar. 

Fuqia e ushtrisë fashiste kundër Shqipërisë 

Në ekspeditën italiane kundër Shqipërisë do të merrnin pjesë 22 mijë ushtarë në skalionin e parë, të cilët do mbarteshin nëpër det me dy koracata të tipit “Cavour”, 7 kryqëzorë, katër të rëndë e 3 të lehtë, 16 kaçatorperdinierë dhe 14 toperdinierë. Flota kishte në përbërje 10 nëndetëse, anija “Miraglia” për transportin e tankeve, anija “Quarnaro”, 5 motoçisterna, 22 piroskafe e 4 skuadrilje për zbulim detar. Veç forcave detare e tokësore, zbarkimi u mbështet nga 261 aeroplanë, ku do vepronin dy shtorme bombardimi me secili nga 40-50 avionë si edhe tre shtorme transporti me secili 80-90 aeroplanë. Në bregdetin shqiptar do të kishte katër pika zbarkimi. Këtyre u dha si detyrë arritja me shpejtësinë maksimale e qendrave si Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Vlora, zona e Devollit dhe Saranda. Më pas, do fillonte shtrirja në terren, ku do kryhej pushtimi i Elbasanit, Korçës, Krujës, Kukësit e Peshkopisë 

Ranë dëshmorë ditën e 7 prillit 1939 

1. Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit)

2. Hamit Dollani 

3. Haxhi Tabaku 

4. Isak Metalla (Metaliaj) 

5. Ismail Reçi 

6. Hysen Kalçi 

7. Ramzan Lezha 

8. Ibrahim Osmani 

9. Hamit Veshko 

10. Mitro Dhimërtika 

11. Tonç Toma 

12. Zenel Blana