Një person ka rënë në pranga pasi u kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm në fshatin Gështenjas të Pogradecit.
35-vjeçari i arrestuar u kishte kërkuar klandestinëve një shpërblim prej 200 eurosh secilit, me premtimin se do t’i kalonte drejt vendeve të BE-së.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. F., 35 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll.
Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Gështenjas, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 200 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore”.





