Policia ka dhënë versionin e saj për procedimin penal të ish-drejtorit të Policisë Bashkiake Tiranë, Florenc Hoxha.
Sipas burimeve zyrtare, Hoxha bashkë me të tjerë i kanë bllokuar rrugën 36-vjeçarit, Bledar Goga në Vaqarr dhe e kanë kërcënuar të dilte nga makina.
Autoritetet vijojnë me tej se, ushqimet që kishte 36-vjeçari në automjet ishin për besimtarët myslimanë që agjerojnë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 proceduan penalisht shtetasin F. H., 46 vjeç, përfaqësues i një subjekti politik, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, sepse ditën e djeshme, shtetasi B. G. ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi disa persona i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra, fshati Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në këtë mjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ushqimet ishin përgatitur për t’ua shpërndare për iftar, besimtarëve mysliman që agjërojnë.”, njofton policia.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.





