Zbardhen dhe dokumentohen 10 vjedhje të ndryshme në qarkun e Tiranës, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. P., 28 vjeç, B. P., 36 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të tre me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 20.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur biçikletën e shtetasit G. B.. Nga veprimet ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së 5 biçikletave, vjedhjes në një banesë dhe në një dyqan.
Gjithashtu shtetasi S. K., ka qenë person i shpallur në kërkim policor, pasi më datë 27.03.2021 dhe 02.04.2021 ka kryer 2 vjedhje të ndryshme (1 banesë dhe 1 biçikletë). Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 biçikletat e vjedhura.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.





